Ambasada Amerikane dënon sulmet e Metës ndaj SPAK: SHBA mbështet profesionistët e drejtësisë që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë

17/04/2024 11:30

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për deklaratat e bëra nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.

Ambasada e SHBA përmes një postimi në platformën X, shprehet se mbështet dënimin që KPL i bëri këtyre sulmeve dhe shprehet se qëndron krahë profesionistëve të drejtësisë që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada e SHBA.

 

Në reagimin e bërë një ditë më parë, KLP dënon çdo gjuhë urrejte apo veprim fyes që synon të denigrojë figurën e prokurorëve dhe të ushtrojë presion ndaj tyre.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”- thuhet në reagim.

Më herët ka reaguar vetë kreu i SPAK, Altin Dumani i cili i ka cilësuar deklaratat e Metës si akuza të pabaza që i bëhen Prokurorisë së Posaçme.

Top Channel