Deklaratat e Metës për kreun e SPAK, reagon KLP: Dënojmë gjuhën fyese që synon të denigrojë figurën e prokurorëve apo t’u ushtrojë presion

16/04/2024 19:44
Kreu i SPAK, Altin Dumani, kryetari i PL Ilir Meta

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për deklaratat e bëra nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj Altin Dumanit, kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në reagimin e bërë, KLP dënon çdo gjuhë urrejte apo veprim fyes që synon të denigrojë figurën e prokurorëve dhe të ushtrojë presion ndaj tyre.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”- thuhet në reagim.

Reagimi i plotë i Prokurorisë:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.

Më herët ka reaguar vetë kreu i SPAK, Altin Dumani i cili i ka cilësuar deklaratat e Metës si akuza të pabaza që i bëhen Prokurorisë së Posaçme.

Top Channel