Nën sfondin e një ekonomie globale që po rritet në ritmet më të ulëta në dekada, FMN raporton se vendet në zhvillim ku përfshihet dhe Shqipëria do ta ndjejnë edhe më shumë efektin.
Në raportin e saj të pranverës institucioni ndërkombëtar parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.1% gjatë 2024-ës njëjtë me mesataren e rajonit, ndërsa në 2025-ën, pritet një rritje prej 3.5%, për të qëndruar në këto nivele deri në 2029-ën.
Kjo rritje ekonomike e vendos Shqipërinë të katërtën në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke lënë pas në perfomancë vetëm Bosnjë Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket çmimeve, FMN shprehet se inflacioni mund të ketë një rritje të lehtë gjatë 2024-ës në 4%, dhe më pas të ankorohet në 3% gjatë viteve të ardhshme, njëjtë me objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë FMN shprehet se shifrat e papunësisë do të vijojnë të jenë të ulëta.
Rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin që lamë pas në 3.4% ishte më e ngadaltë se e një viti më parë, ndërsa inflacioni solli dobësim të shpenzimeve të popullatës sipas shifrave të INSTAT. Fillimisht ekonomia jonë ishte projektuar në nivele më të ulëta, por prurjet rekord të turistëve sollën një stimul që tejkaloi parashikimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare.
Banka Botërore bëri thirrje në raportin e saj pak ditë më parë se ekonomia shqiptare duhet të diversifikohet në mënyrë që të sigurojë një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Top Channel