Armenia thotë se Azerbaixhani ‘kompletoi spastrimin etnik’ në Nagorno-Karabak (fotot)

16/04/2024 18:48

Azerbaixhani është duke zhdukur sistematikisht gjurmët e ekzistencës së armenëve etnikë në rajonin e kontestuar, thotë Jerevani.

Në një padi të Armenisë në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB thuhet gjithashtu se Azerbaixhani ka kompletuar spastrimin etnik në Nagorno-Karabak.

Çështja e ngritur nga Jerevani ndaj fqinjit të tij rival te vjetër në Kaukaz, argumenton sipas avokatit Yeghishe Kirakosyan:

“Pasi kishte kërcënuar prej vitesh se do ta bënte këtë, Azerbaixhani ka kompletuar spastrimin etnik në rajon. Azerbaixhani ngre lart racizmin dhe lejon fjalimet e urrejtjes ndaj armenëve duke shkatërruar simbolet e tyre kulturore.”

Kirakosyan shtonte se Baku tashmë “po konsolidon kontrollin e Nagorno-Karabakh duke fshirë gjurmët e prezencës armene aty, përfshi dhe trashëgimi kulturore e fetare”.

Baku “gjithnjë e më shumë i karakterizon të drejtat e njeriut të Armenisë si një sfidë ndaj sovranitetit territorial të Azerbaixhanit”, shtoi avokati armen, sipas rrjetit te Katarit AlJaseera.

“Azerbaixhani gabohet rëndë. Armenia nuk ka pretendime territoriale ndaj tij dhe është e përkushtuar në krijimin e kushteve për paqen e vërtetë dhe afatgjatë”, tha avokati.

Por avokatët e Baku-t akuzojnë Armeninë se nuk angazhohet në negocjata serioze, që është parakusht për të sjellë padinë në gjykatë.

Me ofensivën e fundit dy-ditore Azerbaixhani mori kontrollin e plotë të rajonit për të cilin kishte luftuar dhe më parë me vendasit dhe Armeninë.

Thuajse e gjithë popullsia prej 120,000 banorësh e enklavës armene brenda Azerbaixhanit, u largua brenda disa ditëve përmes korridorit rrugor të Lachin.

Gjykata shtonte në vendim se Azerbaixhani duhet të lejonte në vend çdo vendas që dëshiron të kthehet për të banuar aty “pa frikë force apo intimidimi”.

Armenia kishte dërguar një peticion në gjykatë për “masa të përkohshme” për të detyruar Azerbaixhanin të ndalonte “masat e dëbimit të mëtejshëm të popullatës së mbetur armene në Nagorno-Karabak”.

Vendimet e gjykatës për çështjet mes shteteve janë detyruese, por ajo vetë nuk ka forcën për t’i bërë të zbatohen.

Në gjykatën e Hagës Armenia ka akuzuar fqinjin për spastrim etnik në Nagorno-Karabak, një rajon “me shumicë armene prej mijëra vitesh”.

FOTO GALERI
1/3
Thuajse e gjithë popullsia prej 120,000 banorësh e enklavës armene brenda Azerbaixhanit, u largua brenda disa ditëve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA