Në prag të ndeshjes me PSG-në, Xavi tregon çfarë e bën më të dobët Barcelonën

15/04/2024 17:08
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez në një konferencë për mediat në prag të ndeshjes së kthimit me PSG-në për të kaluar në gjysmëfinale të Champions, foli për pikat e dobëta të skuadrës së tij.

Ai e konsideroi një lajm shumë të keq pezullimin e Sergi Robertos dhe Christensen pasi do të mund të përshtateshin në mesfushë ku aktualisht katalanasit nuk kanë mjaftueshëm opsione.

“Pezullimi i Sergi Robertos dhe Andreas Christensen? Mungesa e tyre do të jetë e dukshme. Do të na duheshin sepse ka momente në lojëra dhe do të thosha se janë humbje të ndjeshme. Mungesa e tyre është e keqe për ne sepse nuk kemi shumë opsione në qendër të fushës”- tha Xavi.

Por mes të tjerash shtoi se nëse skuadra arrin të funksionojë si ekip, do të mund të ketë një shans të mirë për të kaluar në fazën e gjysmëfinaleve.

“Megjithatë, unë mendoj se çelësi është të jemi një ekip, të gjithë së bashku. Në sulm, në mbrojtje. Mendoj se nëse jemi një ekip, kemi një shans të mirë për të kaluar në gjysmëfinale”, shtoi Xavi.

Xavi tani lë të kuptohet se do të fillojë Pedri në mesfushë së bashku me Ilkay Gundogan dhe Frenkie de Jong.

“Unë e shoh Pedri të gatshëm për të filluar. Të gjithë ata që thirren janë gati të luajnë 90 minuta. Gjatë pjesës së parë do të flasim për lodhjen ndër të tjera. Pedri do të jetë shumë i rëndësishëm nesër”, vazhdoi Xavi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA