“Shkëndija” e Tetovës së shpejti me impiant të ri, projekt gjigand për një stadium ndërkombëtar!

13/04/2024 16:08

Tetova përjetoi një pasdite të veçantë me nisjen e projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të Shkëndijës.

Një event ku u ndërthurën aktivitete sportive me një takim mes veteranëve, por i konceptuar në formën e një feste. Me Shkëndijën dhe Elita 5 që janë dy prej emrave më të famshëm të qytetit ku natyrisht një moment emocionues ishte dhe këndimi i himnit kombëtar, në nisje të aktivitetit.

Lajmi i madh është padyshim ndërtimi i stadiumit të ri, që në bazë të projektit të paraqitur do të mbajë emrin Arena Tetovare. Një projekt gjigand që do të konkretizohet nga firma “Ekolog” me mbështetjen e Komunës së qytetit. Punimet do të nisin me kapacitet të plotë në muajin qershor, për të konkretizuar një stadium bashkëkohor, me kapacitet prej 12 mijë vendesh, që do të mund të mikpresë dhe ndeshje të nivelit ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për një rikonstruksion të plotë ku projekti i stadiumit paraqet një strukturë gjigande dhe moderne, në stilin e impianteve më të mira Europiane, qoftë për sa i përket përshtypjes pozitive që krijon fazada e jashme, që e bën stadiumin një atraksion të vërtetë për qytetin, ashtu dhe për ambientet e brendshme duke nisur nga dhomat e zhveshjesve, ambinetet për sallat e konferencave dhe mediat e të tjera, pa lënë mënjanë dhe komoditetet për sa i përket përreth stadiumit për gjithë të pranishmit.

Padyshim një lajm i mirë ky dhe i shumëpritur për kryetarin e Komunës së tetovës, simbolin e Elita 5 dhe veteranë të kësaj skuadre./Supersport

Top Channel