Ndonëse e bëri të qartë se Gjermania nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës, i dërguari i Berlinit për Ballkanin, Manuel Sarrazin e theksoi se moskrijimi i një bashkësie të komunave me shumicë serbe e pengon rrugën e Kosovës drejt BE-së.
Sarrazin e ka vizituar dy herë Prishtinën brenda tre javëve për të diskutuar me autoritetet kosovare Procesin e Berlinit dhe zhvillimet rreth dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimeve në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesit politikë të Listës Srpska, i dërguari gjerman e nenvizoi se Asociacioni duhet bërë, kjo është gjëja e duhur.
“Të gjithë e dinë se shumë vende brenda BE-së që nuk e njohin Kosovën shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, deklaroi shkurt ai.
Në fund të muajit prill, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës pritet të votojë raportin e raportueses, Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Ndonëse jo zyrtarisht, në medie në Prishtinë ka debat, se diplomatët perëndimorë kanë përmendur mundësinë që krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë “kusht” shtesë që Kosova duhet ta përmbushë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Top Channel