Meloni përshëndet paktin për azilin dhe migracionin nga BE: Kompromisi më i mirë i mundshëm

11/04/2024 20:08

“Kompromisin më të mirë të mundshëm” e quajti kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni paktin për emigracionin i cili pas 8 vitesh negociata të vështira gjeti të mërkurën dakordësinë në Parlamentit Europian

Italia është ankuar prej kohësh se është penalizuar nga sistemi i azilit të bllokut dhe i është lënë barra e pritjes së një numri të madh emigrantësh që vijnë në brigjet italiane kryesisht me anije nga Afrika e Veriut.

Në një takim që zhvilloi me Presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel në Palazzo Chigi një ditë pasi blloku miratoi reformat e azilit dhe migracionit, Meloni tha se nevojat e Italisë si vendi pritës i vijës së parë për emigrantët, janë prioritare.

I ashtuquajturi Pakt për Emigrimin, i përbërë nga tetë ligje, synon kryesisht të zvogëlojë numrin e azilkërkuesve që mbërrijnë në BE, duke përshpejtur procedurat e azilit e më pas duke i zhvendosur ata jashtë kufijve të bllokut. Qeveria e kryeministres së ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni është zotuar të frenojë mbërritjet e emigrantëve, por pa ndikim në shifra deri tani.

Rreth 158,000 emigrantë zbarkuan në Itali vitin e kaluar, plus 16,000 të tjerë këtë vit. Për t’i bërë ballë këtyre flukseve Italia arriti një marrëveshje me Shqipërinë për 5 vite, me qëllim që emigrantët e kapur në det nga Italia të strehohen në Shqipëri përmes dy qendrave; ajo e pritjes në Shëngjin dhe ajo e akomodimit në Gjadër.

Top Channel