Historia misterioze e kërkimit të Uraniumit në vendin tonë dhe pasojat e pakthyeshme u trajtuan në episodin e radhës të emisionit investigativ në Top Channel, Inside Story.
Në bashkëpunim me ekspertët kinez nisën kërkimet në Nimçë të Kukësit dhe Muhur të Dibrës. Punëtorët e arritën qëllimin, e takuan mineralin, ndonëse mundësitë e shfrytëzimit dhe kondicionet e mineralit ishin të ulëta. Raportimet periodike të dokumentuara me gjithçka që ndodhte për kërkimet bëheshin nga drejtuesit tek kryeministri.
“Rezultatet e punës raportoheshin te kryeministri nga shefat e ekspeditave, hartoheshin relacionet përkatëse…Qëllimi dhe objektivat ishin që të konstatohet që kemi mineralizim të tillë në Shqipëri, kjo u arrit, u takua mineralizimi”, u shpreh Gëzim Shima, gjeolog.
“Në Shqipëri kemi Nimçen me kondicione industriale por me rezerva shumë të ulëta, kemi Muhur gjurmë uraniumi, kemi uranium në qymyret por minierat e qymyrit pothuajse janë mbyllur kemi uranium edhe në fosforitet e Fushë bardhës dhe në fosforitet e guzmarit, në fushë bardhës 3 herë me të ulëta se të guzmarit, ndërsa guzmari 0.08% U3O8”, u shpreh Qerim Ismeni, metalurg dhe ambientalist.
Kërkimet u bënë nëpërmjet aparaturave të posaçme të cilat pasi konstatonin rrezatim në zone, nisnin kërkimit. Ky sinjal, për ekspertët ishte i qartë që ishte uranium që lëshonte rrezatimin.
“Në të gjitha objektet ku punohet për uranium siç ka qenë Nimçja ku njerëzit kanë punuar për ta zbuluar për të bërë matjet, zbulimet bëhen në dy mënyra, duke matur rrezatimin, dmth gjurmën, sepse rrezatimin e lëshon urani, nëpërmjet matjeve fizike dhe nëpërmjet analizave kimike”, u shpreh Qerim Ismeni.
Procesi i kërkimit në të dy zonat i arriti objektivat që ishte takimi i meneralit. Por kondicionet e tij ishin të ulëta dhe rezervat të pakta. Në këto kushte, pas një periudhe kohore të gjatë kërkimesh puna u ndërpre. Sot, ata që punuan në minierë dhe janë ende gjallë, numërohen me gishtat e dorës. Pasojat në shëndetin e tyre ishin të parikuperueshme.
“Numri i punëtorëve të Nimçes pothuajse… a mund të gjendet ndonjë i gjallë apo nuk mund të gjendet fatkeqësisht edhe ata kanë ndërruar jetë edhe ata në mosha që nuk i kanë kaluar 55 vjeç”, u shpreh Qerim Ismeni.
Në këtë galeri ka punuar Ibrahim Voka, i cili nuk jeton më. Ai ka humbur jetën pas problemeve shëndetësore që zënë fill tek puna për kërkimin e uraniumit.
“Gjendja e babait kur kthehej në shtëpi, marrje mendsh, të vjella, 4 orë pa komunikim, kishin disa kritere që më vonë i morëm vesh, duhet të kishin 3 fëmijë e sipër”, u shpreh Melaim Voka, familjar minatori.
Djali i minatorit të ndjerë, na tregon se çfarë kujton nga bisedat me babanë, por edhe rastet kur ka hyrë në këto galeri për ta shoqëruar, pa pasur asnjë informacion për rrezikun që iu kanoset në këto galeri. Punëtorët, as që ia kishin idenë se po kërkonin uranium.
“Ka punuar 5-6 vite në këto miniera, fillimisht nuk kanë ditur se për çfarë bëhet fjalë, dikur më vonë kanë mësuar që kërkohet për uranium”, u shpreh Melaim Voka, familjar minator.
Skema mbetet e njëjtë, sekreti fshihet me kujdes nga drejtuesit ndërsa punëtorët vijonin të gërmonin në galeri duke kërkuar mineralin, i cili do t’i jepte Shqipërisë një pasuri të madhe. Qëllimi ishte ta gjenin mineralin, por për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e tij do të duheshin plane të tjera të cilat deri më sot ende nuk janë hartuar. Kjo, vështirë të ndodhë pasi kostoja për këtë infrastrukturë është e lartë.
“Emrat e disa minatorëve dhe rregullat ne galeri, qumështi cigare larja e duarve”, u shpreh Melaim Voka, familjar minatori.
Megjithatë, rastet e mëhershme të problemeve shëndetësore të banorëve të zonës mund të lidhen me rrezatimin.
Akumulimi është një formë, sipas së cilës ata që jetojnë aty mund të përthithin rrezatim. Problemet shëndetësore shfaqen pas rreth 20 vitesh. Pikërisht kjo është shpjeguar edhe në Laç, që siç do t’ju tregojmë pak më poshtë, ka sjellë pasoja të rënda, deri në vdekje.
Pavarësisht pretendimeve të regjimit për sigurinë e minatorëve, pasojat tregojnë se kushtet nuk kanë qenë të tilla. Sot, nga të gjithë ata që kanë punuar në galeritë e Nimçës kanë mbetur gjallë vetëm tre prej tyre, Safet Dogjani, Osman Dauti dhe Maksut Ollomani. Të gjithë të tjerët kanë humbur jetën pasi janë diagnostikuar me sëmundje të ndryshme. Mesatarja që kanë arritur të jetojnë është 55 vjeç.
Ne kemi arritur të kontaktojmë njërin prej të mbijetuarve. Në Cërnalevë, një fshat pranë Nimçes, “Inside Story” trokiti në derën e Osman Dautit, sot 84 vjeç, i cili ka punuar në minierën e uraniumit. Pasojat e punës në galeri janë të dukshme, ai ka humbur dëgjimin prej vitesh. Osmani punonte tek shpërthimi i minave dhe për shkak të zhurmës e ka të pamundur të dëgjojë. Herë pas herë e humb logjikën dhe nuk arrin të tregojë për ngjarjet e së shkuarës. Kryesisht komunikon në gjuhën gorane. Problemet me dëgjimin e bëjnë të vështirë bisedën me të. Në krah i qëndron bashkëshortja, Kadirja, nëna e 4 fëmijëve të tij. Mësojmë se ka humbur edhe tre fëmijë të tjerë pas lindjes.
‘Atje kanë pasur problem janë sëmurur, asnjë nuk është i gjallë, vetëm burri im. Ka pasur probleme, ka punu me mina, nuk nin është shurdhuar’ u shpreh Kadrie Dauti, bashkëshortja e minatorit.
Shkaku i humbjes së 3 fëmijëve nuk u mësua asnjëherë, edhe pse dyshimet lidhen me rrezatimin nga uraniumi.
Kadirja rrëfen vuajtjet familjare por edhe informacione rreth kërkimet në miniera që dikur ishin sekret.
“Puna është e vështirë boll po ka material, me punu ka leverdi shteti me furgon ka punu brenda në galeri. Kanë punu ama material nuk kanë nxjerr sa ka dalë materiali i kanë ndërpre punimet”, u shpreh Kadrie Dauti, bashkëshortja e minatorit.
Një tjetër minator që fatmirësisht i ka shpëtuar së keqes, është Zyber Veshi.
Ai thotë se është i vetmi i mbijetuar nga më tepër se 20 punëtorë pjesë e brigadës ku bënte pjesë. Ai jeton në Sukth, në Durrës bashkë me gruan dhe fëmijët. Kur punoi në minierën e uraniumit pikërisht në këtë galeri tregon se brenda një kohe të shkurtër pati probleme shëndetësore. Ndonëse ishte vetëm 28 vjeç, pas vetëm 2 javësh punë në atë galeri ndihej i lodhur dhe i pafuqishëm.
“Isha i ri kisha fuqi, pas 2 javësh trupi erdhi duke ra, muskulatura e trupit po binte sikur me më kap një më bllokon brigadieri me çoi në përrua të Lekaj për të punuar.. sa kam hyrë, 50 e thellë, na kapi koka na bëhej galeria si ylberi ngjyra ngjyra, vija dinamitin e ndizja dhe ikja, 15 ditë punova 50 cm kisha ecur bënim muhabet me njëri tjetrin shumë e fortë na ka ra krejt trupi, por të rinj hallexhinj duhej të punonim të rrisnim fëmijët kemi qenë 24 vetë, asnjë nuk jeton vetëm unë”, u shpreh Zyber Veshi, punëtor miniere.
Ndryshe nga rregullat që funksiononin në galeritë e uraniumit në Nimçë, në galeritë e Muhurrit minatorët hynin pa asnjë lloj mjeti mbrojtës. Shpimi nuk bëhej i lagur siç përcaktohej në rregullore.
“Bëhej me shpim të lagur me martil me ajër dhe ujë, na faktikisht punonim si kafshët pa ujë, hynim në galeri dhe punonim përshkrimi i punës”, u shpreh Zyber Veshi, punëtor miniere.
Top Channel