Pioli: Me Mourinhon Roma ishte e vështirë të mposhtej, shumë skuadra ndryshojnë kur përballen me Milanin!

10/04/2024 16:16

Trajneri i Milan-it, Stefano Pioli deklaroi në konferencën e dhënë për mediet në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Europa League, ku përballë do të ketë Roma-n e De Rossi-t, se kualifikimi nuk vendoset nesër.

Ai theksoi se ndonëse kualifkimi për në fazën tjetër nuk vendoset nesër, skuadra e tij duhet patjetër të fitojë, që të ketë disi qetësi për takimin e kthimit.

“Qëllimi është të marrim epërsinë që nesër. Është e qartë se ne nuk mund ta përfundojmë çështje e kualifikimit nesër, por duhet të marrim avantazhin ndaj kundërshtarit, që në ndeshjen e kthimit të jemi në pozita më të mira”-u shpreh Pioli.

Teksa i pyetur si e sheh Roma-n me ndryshimin në stol, Pioli theksoi se me Mourinho-n në krye kjo skuadër nuk ishte e lehtë të mposhtej.

“Të jesh një ekip gjithmonë vlen shumë më tepër se gjërat e tjera. Mendoj se De Rossi po bën një punë të shkëlqyer, por nuk e kam fjalën për lojën, por për të ditur se si të jesh i besueshëm në mënyrë që skuadra t’i japë atij disponueshmërinë totale. Kur ishte Mourinho në krye të kësaj skuadre nuk ishte e lehtë të mposhtej Roma, pasi mbrohej shumë, megjithatë nuk do të jetë e lehtë as nesër duke mos ditur se çfarë zgjedhje do të bëjë De Rossi. Shumë skuadra zakonisht luajnë në një mënyrë, pastaj ndryshojnë kur ata përballen me Milan-in sepse i njohin lojtarët tanë sulmues”-tha ai.

Milan-Roma luhet këtë të enjte në “San Siro”, sfidë që nis në orën 21:00 dhe që për publikun shqiptar transmetohet live dhe ekskluzivisht në “SuperSport 2”.

Top Channel