Muzeumi gjerman shkarkon punonjësin ‘artist’ që vari pikturën e vet në galeri (fotot)

10/04/2024 17:02

Anëtari i stafit vendosi punimin e tij në shfaqje në muzeumin Pinakothek der Moderne në Munich, ‘me shpresë të bëhej i njohur’.

Një shprehje thotë se ‘secili ka 15 minutat e tij të famës’, ashtu si një punonjës teknik dhe aspirant për artist, i muzeumit Pinakothek der Moderne në fillim të vitit, që qëndroi në qendër të vëmendjes për plot tetë orë.

Tashmë muzeumi në Gjermaninë jugore konfirmon se ka shkarkuar punonjësin e tij të shërbimeve teknike kur u zbulua se kishte varur një pikturë të tijën në një pjesë të galerisë kushtuar artit modern e kontemporan, pranë pikturave të Andy Warhol.

51-vejçari raportohet se kishte sjellë fshehtas punimin e tij për ta varur më pas, me shpresë të merrte njohjen e shumëpritur artistike, shkruante e përditshmja vendase Süddeutsche Zeitung, duke cituar burime të policisë.

“Punonjësi e konsideron veten artist dhe ndoshta e konsideroi punën e tij me instalimet e muzeumit si një mjet për të mbështetur frymën e tij artistike”, tha një zëdhënës i Pinakothek për rrjetin britanik The Guardian.

Me punën e tij në muzeum, burri kishte akses në zonat e galerisë gjatë orëve të hapjes kështu që nuk tërhoqi vëmendjen e rojeve të sigurisë kur instaloi pikturën e tij me përmasa 60cm me 120cm në një mur të bardhë korridori, në katin e parë të galerisë.

Incidenti i 23 shkurtit u bë publik vetëm dje, kur zëdhënësi i Muzeumit Pinakothek tha se piktura ishte pikasur nga anëtarë të stafit pas disa orësh.

“Por ne morëm vendimin ta linim aty pikturën gjatë orëve të hapjes, që ajo të hiqej pas mbylljes në ora 18.00”.

Pinakothek-a tha se nuk komentonte mbi stilin apo subjektin e pikturës ‘ilegale’ pasi kjo mund të nxisë tallës apo imitues të sjellëve të tilla.

Ata shtonin se kishin përfunduar kontratën e anëtarit të stafit  dhe e ndaluan atë të hynte në ambjentet e muzeumit.

Policia që po hetonte aktin e piktorit, tha se për të varur pikturën e tij burri kishte shpuar dy vrima në murin e galerisë çka solli dhe padinë penale për dëmtim të qëllimshëm të pronës.

‘Pinakothek der Moderne’ i vendosur në zonën e muzeumeve Kunstareal në Munich, është i ndarë në sektorë të artit, arkitekturës dhe punime në letër nga shekujt e 20-të e 21, dhe përfshin punime nga Pablo Picasso, Max Beckmann e Paul Klee./TheGuardian/

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA