Fituesi i Kupës së Kampionëve tregon si qëndron në superformë me ‘dietën e njeriut të egër’ (fotot)

10/04/2024 15:45

Fantazisti i skuadrës së Atletico Madrid, Marcos Llorente ka rrëfyer së fundmi për zakonet e tij unike të ushqimit e njohur si “dieta e njeriut të egër”, sipas të cilës ai i shmanget ushqimeve si makaronat, buka dhe drithërat.

Spanjolli që luan prej pesë vitesh me Atletico Madrid ka fituar kampionatin La Liga në 2021 dhe është një nga pak futbollistë që ka luajtur me të dyja skuadrat e mëdha të kryeqytetit, pasi ka qenë për katër vjet me Real Madrid.

Që kur u bashkua me skuadrën e trajnerit Diego Simeone në 2019, ai është bërë nga lojtarët më të njohur në Evropë dhe shumë i rëndësishëm per Atletico.

Llorente është i vetëdijshëm se ajo me të cilën e ushqen trupin, kontribuon në shëndetin dhe pamjen e skalitur të trupit të tij.

Dieta e njeriut të egër përbëhet nga ushqime që në fakt konsumoheshin nga njerëzit në epokën e paleolitit, dhe nuk pranon ushqime të super-përpunuara si makaronat, buka e drithëra të tjera, teksa Llorente konsumon vetëm ushqime si mish, peshk ose djathtra të cilësisë së lartë.

Duke folur në programin spanjoll El Larguero, ai tha: “Kjo dietë është të hash atë që hanin njerëzit në epokën e lashtë, eliminim i të gjitha ushqimeve të përpunuara, ushqimeve të supermarketit, si makarona, bukë, oriz e gjithashtu bulmete … përveç djathërave të cilësisë së lartë”.

Llorente pranon se dietën e ka zgjedhur për të qenë i shëndetshëm dhe jo për hir të karrierës sportive. “Unë ha gjithçka, mish, biftek, vezë, perime, patate, patate të ëmbla, dhe kasava”, tha ai duke iu referuar ne fund rrënjës tropikale me vlera të mëdha ushqyese.

“Dieta ime është në fakt një stil jetese, nuk e bëj për sportin, qëllimi është të jem i shëndetshëm”, shton futbollisti 29 vjecar.

FOTO GALERI
1/5
Fantazisti i skuadrës së Atletico Madrid, Marcos Llorente ka rrëfyer së fundmi për zakonet e tij unike të ushqimit e njohur si “dieta e njeriut të egër”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA