Në Kosovë, ceremonia kryesore e faljes së Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Në mesazhin e urimit, myftiu Naim Tërnava, tha se “të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste e cila vjen pas një sakrifice të madhe”, por gjeti rastin të thelsonte edhe një herë në fjalën e tij vlerën e madhe të familjes në një shoqëri gjithmonë e më të hapur si kjo e ditëve tona.
Bashkësia Islame e Kosovës organizoi pritjen tradicionale për krerët e shtetit me rastin e Fitër Bajramit. Nga aty presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i uroi besimtarët në këtë ditë feste duke përmendur rolin që BIK-u ka luajtur në kohë të rëndësishme për vendin. Kryeministri Albin Kurti nga ana e tij kujtoi hoxhallarët e rënë në luftë.
“Muaji i Ramazanit ishte muaj i sakrificës dhe solidaritetit. E dimë nga historia që solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi. Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë përvjetor mbi masakrat e kryera mbi popullin tonë, por njëkohësisht kujtojmë 37 hoxhallarët të cilët janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit”, tha Kurti.
Dera e BIK-ut ishte e hapur dhe për krerët e opozitës, ndërsa një mesazh vëllazëror dërgoi nga aty edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji, i cili i uroi myslimanët në emër të Kishës Katolike.
“Ne e urojmë njëri-tjetrin edhe bashkë ndajmë gëzimin e festave si vëllezër, sepse këtë zjarr dashurie e kanë ndezur të parët tanë dhe ne që moti por ky nuk është një zjarr që qet tym të bardh as të zi, por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, vëllazërimi paqe e mirësie”, tha Ipeshkvi Dodë Gjergji.
Top Channel