Atletja ngjitet me litar 110 metra në kullë Eifel, synon të thyejë rekordin botëror

10/04/2024 17:12

Një atlete franceze u ngjit në Kullën Eifel në Paris, në një mënyrë mjaft të pazakontë.

Anouk Garnier, kampione bote në kursin me pengesa dhe mbajtëse e pishtarit olimpik, u përpoq të thyente rekordin botëror për lartësinë më të madhe të ngjitur me litar.

Ajo tregoi forcën e saj të jashtëzakonshme duke u ngjitur me litar deri në katin e dytë të Kullës Eifel – 110 metra mbi tokë, gati 24 autobusë dykatësh të vendosur mbi njëri-tjetrin.

“E kam vizualizuar këtë moment kaq shumë, kam punuar aq shumë për një vit për të arritur këtu sa nuk mund ta besoj se ndodhi me të vërtetë”, tha ajo.

Garnier pranoi se pas 80 metrave, ngjitja po bëhej shumë e vështirë, por me këmbëngulje ia doli mbanë.

Për momentin, Garnier do të duhet të presë për të zbuluar nëse theu rekordin botëror të ngjitjes me litar, ndërkohë ajo do të jetë një nga mbajtëset e pishtarit për Lojërat Olimpike të këtij viti në Paris.

Top Channel