100 ditë në arrest shtëpie, Berisha: Kjo ditë përkon me festën e Bajramit, tregon se Zoti është me mua

10/04/2024 22:31

Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur para mbështetësve të tij të mbledhur nën dritaren e banesës, ka uruar shqiptarët për festën e Fitër Bajramit.

Berisha tha se kjo ditë ‘përkon me 100 ditë qëndresë, na rikujton se Zoti është me ne’.

Në fjalën e tij, Berisha tha se, ‘këto 100 ditë shprese nuk janë fundi i qëndresës, por janë vetëm një kapitull i radhës në të tjerë, që do të vijojnë gjer në fitore të padiskutueshme të PD.’

“Të dashur qendrestare dhe qendrestarë, misionarë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Sot është një ditë e shenjtë. Sot është dita e madhnueshme e Fitër Bajramit! Së bashku le të urojmë nga zemra çdo besimtar mysliman shqiptar, të urojmë që sakrificat e tyre, të urojmë që durimin e tyre, të urojmë që përkushtimin e tyre, Zoti i madh e mëshirëplotë t’ua kthejë në mirësi dhe begati.

Zoti i madhërueshëm është një, është unik në çdo gjë dhe në mënyrën se si ai vepron. Kështu ndodhi që në këtë ditë të shenjtë, të përkonte edhe një ngjarje e rëndësishme për ne, demokratët. Sot mbushen 100 ditë nga qëndresa jonë epike në Rrugën e Shpresës. Një falënderim të përzemërt, mirënjohje të pakufijshme shkon për të gjithë ju, luftëtarë të pamposhtur, që për 100 ditë qëndruat të palëkundur. 100 ditë në të ftohtë, në shi, breshër, stuhi, ju qëndruat, nuk kapitulluat.

Misionarë të vërtetë, fitimtarë! Kjo ditë që përkon me festën e shenjtë të Bajramit, na rikujton se Zoti është me ne, se Zoti është gjithmonë krah së mirës. Por njëkohësisht kjo na rikujton për përgjegjësinë tonë të madhe, që të përmbushin këtë mision hyjnor për të shpëtuar Shqipërinë nga e keqja, për të shpëtuar Shqipërinë nga armiqtë e saj, që kërkojnë të shuajnë kombin tonë me vjedhje, me krime dhe me shpopullim.

Të dashur miq! Secili nga ne duhet të kuptojë rëndësinë e betejën që po luftojmë. Historia e Shqipërisë është një histori drite dhe errësire. Në jetën e saj të gjatë Shqipëria ka vuajtur copëtime dhe diktatura. Këto janë errësira që kanë nxirë një pjesë të historisë sonë. Por gjithashtu historia e Shqipërisë është e ndriçuar nga qendresat, revoltat, betejat heroike të shqiptarëve, që kanë sjellë dritë në historinë e kombit tonë. Janë këto beteja për liri dhe dinjitet dhe qendresa epike që kanë kthyer fatin e Shqipërisë më shumë se një herë. Që kanë shpëtuar atdheun tonë dhe që u kanë dhuruar pasardhësve shqiptarë lirinë dhe dinjitetin që meritojnë. Në këtë kontekst, këto 100 ditë qendrese, do gdhenden, do përjetësohen në muret e historisë.

Këto 100 ditë qëndrese radhiten së bashku me qëndresat e mëdha të kombit shqiptar për liri dhe dinjitet. Sepse asgjë nuk e paraqet më qartë luftën e të mirës kundër të keqes se sa kjo betejë që zhvillojmë ne sot. Këto 100 ditë nisën me ditën më të zezë për demokracinë shqiptare. Nisën me ditën që regjimi monist i arrestoi PD-së liderin e saj pa asnjë provë, pa asnjë fakt, madje pa asnjë akuzë, pa asnjë dokument kundër tij. Dhe kjo për faktin e vetëm sepse ato kurrë nuk mund të gjenden sepse nuk ekzistojnë. Sepse qëllimi i këtij arrestimi ishte t’i mbyllej goja Sali Berishës, denoncimeve të tij kundër korrupsionit qeveritar dhe ndërkombëtar, që shqiptarët të mos mësonin lidhjet e tmerrshme të krimit me Edi Ramën, por edhe të familjarëve të ngushtë të tij”-tha ndër të tjera Berisha.

Top Channel