Shteti amerikan i Tennessee ndalon gjeo-inxhinierinë e motit me substanca kimike në qiell (fotot)

09/04/2024 18:13

Ligji i miratuar dje nga parlamenti vendor ndalon teknologjitë që modifikojnë atmosferën ose motin, duke iu referuar gjurmëve kimike të lëshuara në qiell nga avionët e ushtrisë.

Zhvillimi solli polemika pasi komentet e deputetëve të parlamentit vendor përfshinin dhe teori të pakonfirmuara mbi aktivitetin e avionëve apo efektet e substancave të lëshuara prej tyre, shkruan rrjeti vendas NBCNews.

Dhoma e Përfaqësuesve e Tennessee me ligjin e ri parandalon atë që njihet si gjeo-inxhinieria, ose praktika e modifikimit të qëllimshëm të atmosferës “për të kundër-peshuar ngrohjen globale”.

Ligji përfshin një seri teknikash teknologjike si ‘mbjellja e reve’ për të shtuar reshjet e shiut apo të dëborës, apo “ftohjen e klimës me anë të teknikës së menaxhimit te rrezatimit te diellit”, shton NBCNews.

Shumë opsione të gjoe-inxhinierisë raportohet se janë vetëm teorike dhe shkencëtarët thonë se nuk ka prova për programe të shkallës së gjerë.

Por shumë nga deputetë sugjeronin se tashmë janë aktive dhe janë dhënë patenta për shumë projekte gjeo-inxhinierie përfshi dhe “gjurmët kimike” të avionëve, që përgjithësisht është konsideruar si “teori konspiracioni”.

“Ky do të jetë ligji më i dashur për gruan time, ajo shqetësohej prej 10 vjetësh për atmosferën dhe modifikimin e saj”, tha senatori republikan Frank Niceley në një seancë të ligjit. “Nëse shikon nga qielli çdo gjë duket qartë. Një ditë është i pastër, pastaj dalin avionët që duket sikur luajnë e ka kush e ka, dhe gjithçka errësohet. Prej vitesh ata mohojnë se po bëjnë gjëra të tilla”, shtoi ai.

Vitet e fundit gjithnjë e më shumë janë shtuar zërat e shqetësimet se gjurmët e bardha te lëna nga avionët janë solucione të qëllimshme për të kontrolluar motin ose klimën, shkruan NBCNews.

Ligjvënësit në Tennessee nuk janë të vetmit që përpiqen të ndalojnë politikat e gjeoinxhinierisë, teksa dhe deputetë në Illinois, Kentucky, Minnesota, New Hampshire, Pennsylvania, Rhode Island e South Dakota kanë prezantuar më parë projektligje të ngjashme.

“Ka njerëz në Tennessee, Pennsylvania e New Hampshire që tremben se teoria e gjurmëve kimike është korrekte. Ata nuk presin që kjo të hidhet poshtë nga shkenca por vepruan ligjërisht”, tha studiuesi vendas George Mankin.

Pas nënshkrimit në ligj nga guvernatori, legjislacioni ndalon “lëshimin, spërkatjen apo injektimin e kimikateve në atmosferë me qëllim modifikimin e temperaturës, motit apo intensitetit të dritës së diellit”.

Ligji pretendonte se “është e dokumentuar se qeveria federale ose ata që punojnë për të, se kryhen eksperimente gjeoinxhinierie duke shpërndarë qëllimisht kimikate në atmosferë’.

Shtëpia e Bardhë tha më herët në një email se “qeveria federale nuk është e përfshirë në tentativa apo aktivitete për menaxhimin e rrezatimit të diellit”./ NBCNews/

FOTO GALERI
1/3
Dhoma e Përfaqësuesve e Tennessee me ligjin e ri parandalon atë që njihet si gjeo-inxhinieria, ose praktika e modifikimit të qëllimshëm të atmosferës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA