Kundërshtoi ekstradimin drejt Gjermanisë/ Apeli ‘rrëzon’ Princ Dobroshin, bosin shqiptar të drogës në Evropë

09/04/2024 10:31

Gjykata e Apelit rrëzoi sot kërkesën e Princ Dobroshit, bosit shqiptar të drogës në Evropë, i cili refuzon të ekstradohet drejt Gjermanisë.

Sipas njoftimit, referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasit kosovar me iniciale P. D, nga ku rezulton se Gjykata Themelore Hamburg, Gjermani, me vendimin nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023,  ka nxjerrë urdhër arresti për shtetasin kosovar P.D , pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal, sipas Kodit Penal të Republikës së Gjermanisë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 334 Regj.Them, datë 14.02.2024, ka vendosur:

-Të lejojë ekstradimin e shtetasit kosovar P. D nga Republika e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë , për efekt të ekzekutimit te vendimit penal nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023 , të Gjykatës Themelore Hamburg, Gjermani.

-Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga shtetasi me iniciale P. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, refuzimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali,  vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 334 Regj. Them, datë 14.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

– Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

 

                                                                                                                      Tiranë, më 09.04.2024

 

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Top Channel