Bashkimi Evropian e kërkon sa më shpejt planifikimin e takimit të radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e dinarit që merr shtysë nga një propozim i ndërmjetësit Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i BE-së, Petër Stano, në një përgjigje për mediat në Kosovë u shpreh se palët duhet të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve.

“Më 4 prill, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, priti në takim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër diskutimesh mbi një zgjidhje të përkohshme për të adresuar implikimet e rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme për komunitetin serb të Kosovës. Ky ishte tashmë takimi i katërt për këtë temë në pesë javët e fundit. Meqenëse, palët nuk mund të kapërcenin dallimet e tyre në propozimet e tyre origjinale, ndërmjetësi i bllokut paraqiti ide mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme. U ra dakord me palët që diskutimet e mëtejshme do të mbështeten tek idetë e paraqitura nga BE-ja… Le të kujtojmë se një zgjidhje e përkohshme duhet të arrihet pa vonesa të mëtejshme dhe duhet të negociohet një zgjidhje e përhershme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit”, tha Stano.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para kesh në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të pretendojë se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA