Studentët që nderuan Kosovën/ Dolën të tretët në konkursin me 400 universitete, juristët: Futëm Prishtinën në hartën e elitës

07/04/2024 12:23

Në garën prestigjioze të drejtësisë “Williem C Wiz”, ku marrin pjesë rreth 400 universitete nga e gjithë bota, Universiteti i Prishtinës u rendit i treti këtë vit.

Gjashtë studentët e Fakultetit Juridik për herë të parë kanë shënuar një arritje të tillë.

Dea Fetiu, anëtare e ekipit të sivjetmë përshkruan përvojën si emocionuese dhe fitimprurëse për atë si studente.

Krejt raundet që i kemi pas në Vjenë kanë qenë interesante, jemi knaq shumë gjatë kësaj kohe, kemi pas mundësi me garu kundër ekipeve jashtëzakonisht të forta. Pika më kulminante ka qenë sa herë është thirr emri i Universitetit të Prishtinës për të treguar se e kemi kaluar edhe një raound eleminues”-shprehet Dea Fetiu, studente e Fakultetit Juridik, Universiteti i Prishtinës.

Studentët kaluan pesë raundet në garën ku si temë ishte arbitrazhi ndërkombëtar komercial dhe krahas renditjes në top treshen e të gjitha universiteteve, ekipi i studentëve nga Kosova fituan edhe çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.

Për ta kjo eksperiencë është një përgatitje për të ardhmen.

“Unë mendoj që një garë e tillë jo vetëm si Wiz por edhe të tjera të cilat janë në kuadër të fakultetit ndihmojnë studentët të gdhenden si juristë të ardhshëm, sepse për gjashtë muaj duhet të punosh në një rast fiktiv këtu, por që zgjidhet si rast real në jetë reale”-shprehet Rea Hadri, studente e Fakultetit Juridik, Universiteti i Prishtinës.

Suksesi i arritur, vlerësohet se i hapë dyert edhe për shumë studentë të tjera. Trajneri i ekipit ndihet krenar me të arriturat dhe pret edhe suksese të tjera.

Benifitet e këtij suksesi që e ka arrit fakulteti juridik janë shumë dimensionale, sepse fillimisht e kanë vendosë Universitetin e Prishtinës në hartë, krahas universiteteve më të mira që marrin pjesë në këtë garë.”-shprehet Ilir Hajra – trajner, Universiteti i Prishtinës.

Ekipit i përbërë prej studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe trajnerët Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj janë nderuar edhe me mirënjohje Presidenciale nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për suksesin e shënuar.

Top Channel