Dhjetëra mijëra izraelitë protestojnë në Tel Aviv, kërkojnë marrëveshje për pengjet në Gaza

07/04/2024 08:36

Dhjetëra mijëra izraelitë janë mbledhur kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar një marrëveshje për pengjet e mbajtura në Gaza.

Tubimet në Tel Aviv dhe qytete të tjera erdhën pasi Forcat e Mbrojtjes izraelite  gjetën trupin e pengut Elad Katzir. Protestuesit brohoritën “duam zgjidhje tani” dhe “Elad, na vjen keq”, raportuan mediat lokale.

Protestuesve antiqeveritar iu bashkuan familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza. Demonstruesit shprehën zhgënjimin e tyre me paaftësinë e qeverisë për të liruar rreth 130 pengje që mbeten në Gaza, të mbajtura nga Hamasi dhe aleatët e tij.

Më herët të shtunën, Forcat e Mbrojtjes Izraelite gjetën trupin e Elad Katzir, i cili u kap dhe u dërgua në Gaza gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor. Ai u shfaq i gjallë në një video pengje të publikuar në janar.

Elad Katzir arriti të mbijetonte tre muaj në robëri. Ai duhet të ishte me ne sot. Ai mund të ishte me ne sot,” i tha protestuesi Noam Peri një gazetari të BBC.

Organizatorët thanë se protesta në Tel Aviv mblodhi rreth 100,000 njerëz. Demonstratat ishin të fundit nga një seri protestash të mëdha antiqeveritare që kërkonin që kryeministri Netanyahu të largohej, mes zemërimit që ai nuk ka arritur të lirojë pengjet e mbetura.

Një makinë u përplas me turmat në protestën në Tel Aviv, duke plagosur pesë prej tyre. Policia tha se shoferi është arrestuar.

Të dielën, gjashtë muaj që kur sulmet e Hamasit shkaktuan luftën në Gaza – negociatorët planifikojnë të takohen në Kajro për të tentuar të arrijnë një armëpushim në luftën brutale.

Top Channel