Mbi 13 mijë civilë shqiptarë të vrarë, prej të cilëve 1024 fëmijë, 1617 persona të zhdukur me dhunë, rreth 20 mijë gra të dhunuara, e mbi 800 mijë të dëbuar janë dëshmi që tregojnë krimet që Serbia ka kryer mbi shqiptarët e Kosovës për periudhën 1998-1999.
Qytetarëve pritet t’u hapet një derë e re për të kërkuar drejtësinë e tyre. Kjo në rast se Kosova kalon edhe dy provat e tjera dhe arrin anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Kjo u mundëson atyre qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që do të thotë se mund të dërgojnë padi të tilla edhe në Strasburg, por shteti serb mund të paditet vetëm në forma tjera.
“Eventualisht vetëm nëse një palë e dëmtuar do të ngriste rast për krime lufte para gjykatave në Serbi, atëherë nëse dështon që të arrihet një aktgjykim për kryesit e krimeve atëherë ai rast mund të dërgohet në Strasburg dhe të paditet Serbia”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar po bëhen përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, megjithatë, për këtë mundësitë janë të limituara.
“Nuk është që ndihmon anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës për të ngritur padi ndaj Serbisë për gjenocid, e vetmja adresë është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe për këtë Kosova duhet të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara ose të gjejë një vend tjetër, një vend të tretë që është i vullnetshëm ta bëjë padinë në emër të Kosovës”.
Për të paditur shtetin e Serbisë, njohësit thonë që duhet përgatitje e lartë, pasi rreziku nga dështimi mund t’i kushtojë shumë vendit.
“Në ato raste duhet të dëshmohet intenca apo qëllimi përtej dyshimit të bazuar se një palë, në këtë rast pala serbe ka pas qëllim me kry gjenocid në Kosovës dhe mendoj që për t’u bërë kjo punë do të duhej të angazhoheshin edhe ekspertë ndërkombëtarë”.
Nga lufta e fundit në Kosovë, përveç viktimave pati edhe shkatërrime e djegie të shtëpive e monumenteve kulturore, po ashtu edhe uzurpime të pronave, që dëmi përllogaritet të jetë mbi 22 miliardë euro.
Top Channel