Në Maqedoninë e Veriut u hap zyrtarisht fushata për zgjedhjet presidenciale.
Gjatë 20 ditëve të ardhshme, 7 kandidatët në garë do të shpalosin programet e tyre, ndërsa qytetarët do të përballen me premtime, debate e kritika. Pyetja kryesore që shtrohet gjatë kësaj fushate është se çfarë president ii duhet vendit. Disa prej kandidatëve premtojnë hyrje në BE,disa dëshirojnë ta bëjnë Maqedoninë e Veriut krenare t’i kthejnë dinjitetin, të tjerë premtojnë luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit.
DPMNE Gordana Siljanovska Davkova nga partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE flet për kthim të krenarisë maqedonase. “Mund të ndryshoni gjithçka, por mëmëdheun asnjëherë. Jo rastësisht jemi lindur në Maqedoni, këtu buron energjia për ta bërë vendin më të fortë më të dashur dhe më konkurrues. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë respekt në arenën ndërkombëtare”, thekson ajo. Presidenti aktual, Stevo Pendarovski që garon me mbështetjen e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet, ka thënë se nëse e marr sërish mandatin e presidentit do të vazhdoj t’i trajtojë të gjithë qytetarët njëlloj pa marë parasysh se çfarë kombi apo feje janë ata.
Bujar Osmani, kandidat për president i mbështetur nga Fronti Europian, i mëshon integrimit europian si “shtylla” kryesore e programit të tij. “Jam shumë i qartë në perspektivat e reja se ku duhet të fokusohemi për t’i hequr barrierat që na mbajnë ende jashtë rrugës së progresit dhe zhvillimit që ofron shekulli XXI. Përkushtimi im për këto është dhe do të jetë i pathyeshëm. Njerëzit tanë, fëmijët tanë e meritojmë të ardhmen europiane.”, është shprehur Osmani. Në raundin e parë president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës.
Top Channel