Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të premten kryetarëve të komunave të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bashkëpunojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili fillon sot dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj.
Gjatë një takimi me kryetarët komunalë në Prishtinë, Kurti tha se “angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për t’i adresuar nevojat e qytetarë pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të përfshijë edhe një pyetësor, cili do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999.
“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, tha Kurti.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha që regjistrimi i popullsisë do të bëhet duke respektuar parimet e mbrojtës së të dhënave dhe të drejtat e privatësisë.
“Ky proces nuk është vetëm një procedurë burokratike është gur themel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror. Duke regjistruar me saktësi informacionin demokratik, ne do të kuptojmë dhe do t’i shërbejmë më mirë qytetarëve tanë”, tha Krasniqi.
Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës.
Megjithatë, Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.
Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.
Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.
Sipas regjistrimit më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.
Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera./REL
Top Channel