Liverpooli “ndan mendjen” për trajnerin e ri, diskutohen detajet me menaxherin

05/04/2024 20:08

Pas dështimit për të firmosur me Xabi Alonson, duket se Liverpooli ka përqendruar të gjithë vëmendjen te portugezi Ruben Amorim, i cili po bën një punë të shkëlqyer në stolin e Sportingut të Lisbonës.

“The Reds” janë në kërkim të një trajneri për të zëvendësuar gjermanin Klopp, i cili ka deklaruar se do të tërhiqet në fund të sezonit dhe media britanike raporton se emri në krye të listës është pikërisht 39-vjeçari portugez.

Agjenti i Amorim, Raul Costa ka qenë në Angli këtë javë, ku raportohet se është takuar edhe me drejtues të lartë të Liverpoolit, për të diskutuar mbi kushtet e transferimit dhe detaje të tjera që lidhen me projektet e klubit.
Amorim drejton Sportingun e Lisbonës që prej vitit 2020 dhe ka bërë një punë të shkëlqyer, duke i dhënë skuadrës edhe një titull kampion, të parin pas 19 vitesh, teksa edhe në sezonin aktual është favorit kryesor për të triumfuar në kampionat.

Me eksperiencën në Portugali, por edhe në kompeticionet Europiane, Amorim duket se është gati për një tjetër aventurë, atë në “Anfield Road”, ku e pret misioni i vështirë të zëvendësojë një emër të madh si Jurgen Klopp, i cili ka lënë gjurmë të forta në historinë e “The Reds”./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA