Ndalet Alessandro Bastoni. Mbrojtësi i Interit është ankuar për një lodhje muskulore dhe stafi mjekësor e ka autorizuar të punojë i diferencuar, teksa është thuajse e sigurt mungesa e tij për transfertën friuliane, e parashikuar për mbrëmjen e të hënës.
Natyrisht nuk bëhet fjalë për një dëmtim shqetësues, megjithatë mjekët e Interit kanë menduar të shmangin çdo mundësi për rëndim të gjendjes, teksa Bastoni po punon nën kujdesin e tyre dhe me ngarkesë minimale.
Natyrisht një lajm jo fort i mirë për Simone Inzaghin, që ndaj Udineses nuk do të ketë në dispozicion as holandezin De Vrij, teksa gjasat janë që në vendin e Bastonit të aktivizohet braziliani Carlos Augusto, për të plotësuar treshen e prapavijës me Acerbin dhe Pavard.
Ndërkohë, për transfertën friuliane pritet të rikthehet në stol austriaku Arnautoviç dhe me gjasë edhe kolumbiani Juan Cuadrado, i cili prej dy ditësh po merr ngarkesën e plotë stërvitore me shokët e skuadrës.
Interi do të sfidojë Udinesen në Friuli të hënën në orën 20:45 me objektiv marrjen e një tjetër fitoreje, që do ta afronte edhe me shumë me titullin kampion të 20-ë në histori, i cili duket vetëm një formalitet matematikor me 14 pikë distancë nga Milani./SuperSport
Top Channel