Mbappe largon Vinicius nga Real Madrid? Tre klube gati të bëjnë “çmenduri” për brazilianin

04/04/2024 20:43

Kylian Mbappe duket i destinuar që në verën e ardhshme të bashkohet me Realin e Madridit. Francezi, është tashmë i lirë për t’u larguar me kosto zero nga Paris Saint-Germain dhe më në fund mund të realizoj ëndrrën për të veshur fanellën e “Los Blancos”.

Por, transferimi i Mbappe në kryeqytetin spanjoll mund t’i japë fund aventurës së Vinicius Junior me madrilenët.

Braziliani, luan në pozicionin e Mbappe, por përveç aspektit taktik, me afrimin e Mbappe, humbet edhe qendrën e vëmendjes. Ndaj, Vinicius do të marrë parasysh ofertat në verë, oferta të cilat nuk i mungojnë.
Tre janë klubet që janë të gatshme të bëjnë çmenduri për sulmuesin brazilian. Liverpool, Chelsea dhe PSG ofrojnë deri në 200 milionë për shërbimet e Vinicius teksa i ofrojnë 23-vjeçarit edhe statusin e yllit të skuadrës.

Një tjetër shtysë për t’u larguar nga Madridi, Vinicius e ka edhe për çështjen e racizmit që e ka vuajtur së tepërmi në Spanjë. Deri më sot janë plot 18 denoncime nga ana e Vinicius për racizëm, por që në asnjë rast nuk ka të dënuar. Ndaj, braziliani mund të kërkoj vlerësim në një tjetër vend që nuk është Madridi./ Supersport

Top Channel