Bardhi përplaset me Ballën: Dumani të hetojë deri në fund “Xibrakën”! Ministri: Berisha donte që të fajësohej dikush nga PS, PD e di që s’ishte Olsi Rama te laboratori

04/04/2024 15:20

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla janë përfshirë në një debat për akuzat e deputetit se vëllai i kryeministri Edi Rama, Olsi Rama është përfshirë në dosjen “Xibraka”.

Bardhi këmbënguli që ministri i Brendshëm të tregojë  se kush personi misterioz që policia nuk ka mundur ta identifikojë.

Nga ana tjetër, Balla i sugjeroi të shkonte të pyeste ish-kryeministrin Sali Berisha.

Bardhi: Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale. Të vihen përgjegjësisë ata që varrosën dosjen. Shqipërisë i është vendosur njolla e narkoshtetit

Balla: Në e di fare mirë sikurse çdo qytetar i vendit që rikthimi në diskursin politik të parafolësit (Bardhit), të një çështje që e kemi stërdebatuar me njeri tjetrin që nga janari 2015 dhe këtu më lejoni ta shtensionoj debatin. Në janar 2015 policia bëri një operacion ku u zbulua edhe një laborator i përpunimit dhe prodhimit të kokainës. Atë ditë pasdite në PD, në godinën e SHQUP-it, njëri prej folësve të PD-së, asokohe deputet, u thirr me urgjencë me urdhër të pronarit të  SHQUP, u thirr të deklaronte se fabrika në Xibrakë ishte e Taulant Ballës. Deputeti i shkruan pronarit të SHQUP-it dhe i thotë “doktor, Taulanti është në Mirakë, në Librazhd, Xibraka është në Elbasan. Njërin nga Partia e Edi Ramës ne duhet ta fajësojmë për këtë laborator”. Ky diskutim vazhdon për disa minuta dhe pastaj del PD në konferencën për shtyp dhe akuzon, Edi Ramën, Taulant Ballën, Olsi Ramën dhe kush doli përpara. Ju e dini shumë mirë se kush është ai bruni flokë shkurtër 45 vjeçar që s’ka asnjë lidhje as me Edi Ramën, as me PS-në. Shkoni pyesni Saliun. E ka thënë këtu në këtë sallë kush është, është një i lidhur me një deputet të partisë suaj ( i drejtohet Bardhit). Pse u kthyet ju pas 9 vitesh te kjo fabul. Ju e dini fare mirë që nuk është Olsi Rama, është hetuar për këtë gjë. Pyetja që shtrohet është “kush po iu paguan ju ta riktheni këtë çështje?”. Si ministër i Brendshëm më takon të hetoj se si ka mundësi që politika juaj nuk ka vendosur ende mend të shpërdorohet nga interesa ekonomike dhe financiare. Meqenëse ju keni besim te SPAK, pse nuk keni besim ta hetojë edhe këtë çështje. Të takon për detyrën që mban.

Top Channel