Fiks Fare/ Banorët ankohen për fabrikën se djeg mbetjet, kjo e fundit thotë i kompostoj. Institucionet pranojnë se mbetjet janë djegur

03/04/2024 20:45

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një fabrike përpunimi bimësh medicinale në Malësi të Madhe, e cila sipas tyre mbetjet i grumbullon dhe djeg në një fushë afër fabrikës, sipërfaqe e cila është zonë e mbrojtur e Liqenit të Shkodrës.

Banorët tregojnë se ndotja kur digjen është e madhe. Madje një anëtar i këshillit bashkiak në Malësi të Madhe tregon se këtë shqetësim do ta ngrejë edhe në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak. Sepse ndryshe nuk po gjejnë zgjidhje, ai thotë që banorët e kanë këtë shqetësim të vazhdueshëm.

Përfaqësuesi i subjektit tregon se mbetjet nuk i dogji subjekti por i kanë djeg banorët. Madje ai tregon se ka marrë një leje tani që i ka pritshmëritë se do kalojë 50 ton mbetje në ditë.

“Ne nuk kemi pse i djegim, ne duam ti kompostojmë dhe ti përdorim për humus, por i kanë djegur të tjerë” thotë përfaqësuesi.

Por tjetër gjë thotë Agjencia e Zonave të Mbrojtura Shkodër, në një shkresë zyrtarë për emisionin Fiks Fare ky institucion thotë se e ka pezulluar edhe njëherë aktivitetin e këtij subjekti, por më vonë sollën lejen.

Sipas AKZM Shkodër përgjegjësia për djegien e mbetjeve është e subjektit.

Ndërkohë që mbetjet grumbullohen sërish në të njëjtin vend që janë djegur vite me radhë, vend për të cilin subjekti tregon se ka një leje për kompostim, shefi i zjarrfikëseve Malësi e Madhe , Besnik Hasa, thotë se nuk ka asnjë dokument të lëshuar për subjektin, që vendi është i sigurt, sepse ai vend duhet të plotësoje disa kritere në mënyrë që të marrë certifikatën. Të njëjtën gjë pohon edhe Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhe, Bardhok Frroku i cili thotë se duhet që këtë dokument ta kishte dorëzuar përpara se të merrte lejen, pasi ky është një ndër kriteret e lejes. Ai tregon se akoma nuk e ka inspektuar këtë subjekt pasi nuk janë bërë 6 muaj nga leja.

Top Channel