Botsvana ‘kërcënon’ të dërgojë 20,000 elefantë në Gjermani pas polemikave për botën e egër (fotot)

03/04/2024 16:18

Presidenti i Botsvanës kërcënonte sot të dërgonte 20,000 elefantë në Gjermani, pas një debati për politikat mes zyrtarëve të dy vendeve për gjuetinë dhe mbrojtjen e botës së gjallë.

Më herët ministri gjerman i mjedisit sugjeroi se duhet të ashpërsoheshin rregullat e importit të pjesëve të kafshëve në formë trofeu nga gjahtarët në rezervatet e Afrikës.

Por gjuetia e luksit me pagesë është një burim të ardhurash për vendet dhe presidenti i Botswana, tha Mokgweetsi Masisi për mediat duke shtuar se kjo do të varfëronte njerëzit në vendin e tij.

Ai tha se numrat e elefantëve ishin shtuar shumë prej politikave të mbrojtjes dhe gjuetia ishte një formë e mbajtjes së tyre nën kontroll.

Duke folur me të përditshmen Bild, Masisi tha se gjermanët “duhet të jetojnë bashkë me kafshët para se t’i tregojnë të tjerëve se çfarë duhet të bëjnë. Nuk po bëj shaka”.

Botsvana besohet se strehon një të tretën e popullatës së elefantëve të botës, në një numër rreth 130,000, që sipas tyre është më shumë nga sa kanë hapësirë për të mbajtur.

Masisi tha se tufat e tyre kanë shkaktuar dëme në të mbjella dhe lëndime ndaj rezidentëve.

Botsvana ka transferuar më parë 8,000 elefantë në Angolën fqinje, dhe ka ofruar qindra të tjerë për Mozambikun, me qëllim reduktimin e popullatës së kafshëve gjigante.

“Prandaj ne ofrojmë këtë si dhuratë dhe për Gjermaninë,” tha Masisi duke shtuar madje se nuk pranon refuzim si përgjigje.

Edhe ministri i botës së egër të Botsvana, Dumezweni Mthimkhulu kërcënonte muajin e shkuar të dërgonte 10,000 elefantë në parkun Hyde Park në qendër të Londrës, në mënyrë që “britanikët të kuptonin sesi është të jetosh pranë tyre”.

Në mars Britania votoi ndalimin e importimit të trofeve të gjuetisë, por legjislacioni ende nuk ka hyrë në fuqi, ndërsa Gjermania kërkon tashmë të nisë një legjislacion të ngjashëm.

Botsvana dhe vende të tjera afrikane fitojnë të ardhura nga gjuetarë luksi që paguajnë mijëra dollarë për lejen e vrasjes së kafshëve të egra, dhe më pas marrin me vete pjesë të trupit të tyre në formë trofeu.

Aktivistët e mbrojtjes së kafshëve e quajnë praktikën mizore dhe të papranueshme.

Gjermania është vendi me numrin më të madh në BE të importeve të këtyre trofeve të gjuetisë, sipas një raporti të 2021 shoqërisë se aktivistëve ‘Humane Society International’.

Botsvana kishte ndaluar praktikën e kontestuar në 2014, por kufizimet u hoqën në 2019 pas presionit të komuniteteve për të ardhurat e humbura.

Zëdhënsja e ministrisë së mjedisit në Berlin tha për rrjetin AFP se Botsvana nuk ka ngritur një ankesë formale me Gjermaninë për çështjen.

“Në kontekstin e mbrojtjes së biodiversitetit ne kemi përgjegjësi të bëjmë sa mundemi për të siguruar që importi i trofeve të gjuetisë të jetë i ligjshëm e i qëndrueshëm”, tha ajo.

Australia, Franca e Belgjika janë mes disa vendeve që kanë ndaluar tashmë praktikën e importit të trofeve.

Botsvana, dhe fqinjët Zimbabve e Namibia, kërkojnë gjithashtu të lejohen të shesin rezervat e tyre të fildishit, por aktivistët thonë se kjo inkurajon gjuetinë ilegale të kafshëve.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA