Duke lënë pas trupa të pajetë e shkatërrim, ushtria izraelite u tërhoq nga spitali më i madh i Gazës orët e para të ditës së sotme, pasi e mbajti atë nën kontroll për dy javë.
Bastisja e Al Shifas u përshkrua nga shteti hebre si një nga operacionet më të suksesshme të luftës gati gjashtëmujore. Tel Avivi pretendon se gjatë këtij aksioni janë vrarë shumë pjesëtarë të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian dhe militantë të tjerë, duke përfshirë operativë të lartë të grupit.
Ushtria tha se sekuestroi armë dhe inteligjencë të vlefshme si dhe konfirmoi tërheqjen sot. Por ndërkohë agjencia shëndetësore e OKB-së tha se disa pacientë vdiqën dhe dhjetëra u rrezikuan gjatë bastisjes, gjë që solli edhe më shumë shkatërrim në një spital që tashmë kishte pushuar së funksionuari. Ditët e luftimeve të ashpra treguan se Hamasi ende mund të bëjë rezistencë edhe në një nga zonat më të goditura të Gazës.
Dëshmitarë në mesin e qindra palestinezëve që u kthyen në zonë, përshkruajnë një skenë të “shkatërrimit total”. Njëri prej tyre tha se disa ndërtesa ishin djegur dhe se ai kishte numëruar gjashtë trupa në zonë, duke përfshirë dy në oborrin e spitalit. Izraeli ka akuzuar Hamasin për përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake dhe ka bastisur disa objekte mjekësore. Ai thotë se nisi bastisjen në Shifa pasi Hamasi dhe militantët e tjerë ishin rigrupuar atje. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza i mohojnë këto akuza.
Kritikët akuzojnë ushtrinë për rrezikimin e pamatur të civilëve dhe për shkatërrimin e një sektori shëndetësor tashmë të mbingarkuar me të plagosur nga lufta. Palestinezët thonë se trupat izraelite evakuuan me forcë shtëpitë pranë spitalit Shifa në qendër të qytetit të Gazës dhe detyruan qindra banorë të marshonin në jug
Top Channel