Laçi-Partizani mbyllet në “paqe”, me sfidën e javës së 29-të të Kategorisë Superiore që përfundoi me barazimin 1-1, ndërsa vlen të theksohet se miqtë e mbyllën këtë takim me dhjetë lojtarë.
Në minutën e 19’ Cara u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ekipin e tij në inferioritet numerik.
Pavarësisht numrit të lojtarëve në fushën e lojës, kryeqytetasit zhbllokuan ndeshjen me Sotën, që gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 38’ dhe u dha avantazhin “të kuqve”.
Vendasit reaguan në nisje të fraksionit të dytë, me Sobowale që barazoi në minutën e 51’ për Laçin.
Laç pati mundësinë për të përmbysur ndeshjen në minutën e 62′, por Ujka nuk ia doli të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë.
Pavarësisht rasteve nga të dyja anët, në fund gjithçka u mbyll me barazimin 1-1, me Laçin që pas këtij takimi renditet në vend të tetë me 32 pikë, teksa Partizani në vend të tretë me 47 pikë./ Supersport
Top Channel