Interi kërkon zëvendësuesin e Acerbit, në listë dy mbrojtësit e Torinos

30/03/2024 14:13

Francesco Acerbi nuk ofron më garancitë e nevojshme te Interi, që ka nisur të mendojë për zëvendësuesin e mbrojtësit veteran italian.

36 vitet mbi supe kanë nisur të peshojnë dhe këtë sezon Acerbi është ndalur dy herë nga dëmtimet, ndaj te Interi duan ta nisin sezonin e ri me një tjetër qendërmbrojtës në dispozicion.

Emrat e preferuar luajnë në klubin e Torinos, pasi zikaltrit monitorojnë prej kohësh holandezin Per Schuurs. Ky i fundit luan sezonin e dytë te klubi granata dhe di të përshtatet edhe si anësor i djathtë në mbrojtjen me tre, teksa vlera e kartonit përllogaritet rreth 25 milionë euro.

Megjithatë së fundi Marotta e Ausilio joshen nga ideja për të sjellë në “San Siro” italianin Alessandro Buongiorno, i cili po shkëlqen dhe ka fituar një fanellë titullari edhe në prapavijën e përfaqësueses së drejtuar nga Spalletti.

Buongiorno ka vetëm 25 vite mbi supe, aq sa edhe Alessandro Bastoni dhe me të dy në organikë, Interi do të blindonte prapavijën për shumë vite në vijim, e në të njëjtën kohë do të ruante të fortë boshtin italian të skuadrës.

Për mbrojtësin italian Torino synon rreth 40 milionë euro dhe Interi mund të hyjë në negociata vetëm në rast të një pagese me këste ose të përfshirjes së ndonjë futbollisti të ri në marrëveshje.

Një emër i tretë me kosto të ulët është slloveni i Udineses, Jaka Bijol, gjithashtu 25-vjeçar, i ambientuar të luajë në mbrojtjen me tre, por që nuk josh fort drejtuesit e Interit, që kërkojnë një futbollist me cilësi më të mira teknike për t’iu përshtatur filozofisë së Inzaghit për ndërtimin e lojës nga prapa.

Ndërkohë Acerbi, i cili ka kontratë deri në verën e 2025-ës me Interin, pritet të mos rinovojë dhe të qëndrojë në skuadër për të bërë zëvendësuesin e parë të Bastonit në të majtë, por edhe qendërmbrojtësin në rast nevoje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA