“Të bashkojmë forcat”, Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar: Procesi i integrimit në BE kërkon dije të reja

28/03/2024 20:50

Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar që po mbahet këtë të enjte theksoi se procesi i integrimit në BE kërkon dije të reja.

Gjatë diskutimit mbi politikat që po ndërmerren për të mbështetur më tej ekonominë dhe bizneset, kryeministri theksoi se të gjitha sektorët duhet të bashkojnë forcat për të arritur qëllimet.

Rama thekson se ekonomia shqiptare po kalon një fazë tejet pozitive zhvillimi, e certifikuar së fundmi edhe nga Standard&Poor’s, që e ngriti Shqipërinë në majën më të lartë me vlerësimin e saj për financat publike dhe uljen e mëtejshme të borxhit.

Për Këshillin Ekonomik Kombëtar kryeministri tha se është një nga hapësirat ku me vullnet të përbashkët, me angazhim të përbashkët “ne mund të rrisim produktivitetin e dialogut mes qeverisë dhe gjithë faktorëve të tjerë”.

“Mblidhemi në një kontekst, do thoja, shumë inkurajues për ekonominë tonë, në kushtet kur nga njëra anë Shqipëria ka marrë një vlerësim të ri nga Standard & Poor’s me “BB – ” . Është hera e parë që Shqipëria ngjitet në këtë nivel në klasifikimin e vendeve dhe nga ana tjetër kur kemi një të dhënë të fundit të Bankës së Shqipërisë, për një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja të cilat për herë të parë kanë hipur ndjeshëm mbi shifrën e stabilizuar në vitet e fundit prej 1 miliard eurosh, në 1.5 miliard euro.

Vizioni ynë i Shqipërisë 2030 shkon shumë përtej këtyre të dhënave të aktualitetit. Pa diskutim që ne kemi një potencial për një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja dhe synimi ynë është të ngjitemi në2, 2.5, në 3, në 4 miliard.

Pa diskutim që ne i kemi të gjitha mundësitë që në një kohë jo të gjatë të kemi një tjetër vlerësim pozitiv me përmirësim nga Standard & Poor’s dhe sot nëse shohim të dhënat dhe nëse shohim trendët, nuk është aspak e shfrenuar imagjinata që në një kohë të arsyeshme të kalojmë në “BB +”. Turizmi rritet, kërkesa për Shqipërinë rritet në mënyrë eksponenciale do të thoja.

Sot ne shohim që sipërmarrja në turizëm nuk shtron më problemin e pagave. Është gati të paguajë dhe të paguajë shumë mirë si nuk do të imagjinohej deri disa vite më përpara, por shtron problemin që të ketë kë të paguajë dhe të ketë me kë t’i mbulojë të gjitha rolet dhe funksionet e një infrastrukture mikpritjeje.

Nga ana tjetër, për ne është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi dhe të kemi sa më shumë kontribut nga të gjithë faktorët e tjerë ekonomikë dhe socialë, si dhe akademik, në mënyrën se si ne duhet të formësojmë një politikë të re për aftësimin profesional, jo vetëm në nivel të shkollës, por edhe për ri aftësimin në funksion të tregut edhe në moshat që nuk janë më mosha shkolle.

Sigurisht që ne kemi disa ide, por duam që të bashkojmë forcat dhe të krijojmë një qasje sa më të qartë dhe sa më konkrete për çka duhet të bëjmë.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia është diskutimi për projektligjin e ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare. Një projektligj i vonuar për shumë vite pa i hequr askujt të drejtën që të bëjë çfarë organizimi të dojë në punën e tij, duhet të imponojmë detyrimin e regjistrimit në Dhomën Ekonomike Kombëtare siç e kanë të gjithë vendet demokratike për hir të së vërtetës, asgjë më shumë, por edhe asgjë më pak. Kur në ndërkohë nevojat e sipërmarrjes sot janë shumë të ndryshme nga ato që ishin më parë. Kur ndërkohë ne nga ana jonë jemi të vetëdijshëm që procesi integrimit në Bashkimin Europian me fazën e negociatave është një proces që ngarkon me përgjegjësi të mëdha, të reja jo vetëm qeverinë, jo vetëm pushtetin ekzekutiv, por të gjithë sistemin e organizmit të Shqipërisë. Që do të thotë, është një proces ku pushteti ekzekutiv, pushteti gjyqësor, pushteti legjislativ kanë detyrat e tyre që duhet t’i përmbushin sepse nuk do integrohet qeveria e Shqipërisë në Bashkimin Europian, do integrohet Shqipëria dhe përtej këtyre që në një farë mënyrë mishërojnë sektorin publik në Shqipëri edhe sektori privat ka përgjegjësitë e veta të mëdha.

Do të ketë kostot e veta të pashmangshme në këtë proces, do duhet të bëjë sakrificat e veta për këtë proces dhe mbi të gjitha ka një emërues të përbashkët për ne, qeverinë, pushtetin ekzekutiv, për pushtetin gjyqësor, për pushtetin legjislativ, për sektorin privat, për të gjitha agjencitë e tjera të pavarura, për shoqërinë civile, për universitetin dhe ky emërues i përbashkët është që ky proces në këtë fazë kërkon dije. Kërkon dije të reja, kërkon dije të reja që nga mënyra sesi funksionon procesi, që nga mënyra sesi funksionon Bashkimi Europian.

Procesi i integrimit dhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian janë: “mangi questa minestra”. Pikë!

Pa diskutim Dhoma Ekonomike Kombëtare do të ketë mundësi, do të jetë një mundësi e re për të informuar, për të mbështetur, për të asistuar, për të ndihmuar dhe do të jetë një interlekutor i rëndësishëm në këtë proces.

Në mbyllje dëshiroj që të theksoj që gjithë kjo punë kërkon dialog më intensiv, kërkon dialog më të strukturuar, kërkon dialog më produktiv dhe patjetër që ky Këshill Ekonomik Kombëtar është një nga hapësirat ku me vullnet të përbashkët, me angazhim të përbashkët ne mund të rrisim produktivitetin e dialogut mes qeverisë dhe gjithë faktorëve të tjerë”, tha Rama.

Ministri Ervin Mete shpjegoi se si do të funksionojë garancia sovrane për fasoneritë.

“Po veçoj instrumentin e Garancisë Sovrane që kaluam së fundmi me aktin normativ për sektorin e industrisë përpunuese që lindi nga një kërkesë në një takim të ngjashëm dhe u procesua në një kohë të shpejtë. Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, detaje që do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë që, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese. Ashtu siç ka nevojë që të njëjtat mekanizma të ndarjes së riskut ne t’i zgjerojmë në sektorin e kreditimit dhe financimit, dhe siç ka nevojë të bëjmë dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera qofshin dhe në diversifikimin e kolateralit apo marrjen e masave rregullative me qëllim nxitjen e kreditimit, pasur parasysh edhe momentin në të cilin jemi”, tha ministri Mete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA