Perez dhe Ancelotti e bindin, gati të rinovojë me Realin

28/03/2024 13:27

Prej ditësh qarkullon lajmi i rinovimit të Toni Kroos me Realin e Madridit, ndërkohë që mëngjesi i së enjtes ka sjellë edhe konfirmimin.

Mesfushori gjerman, i cili kohë më parë ishte shprehur se mund të tërhiqej nga futbolli aktiv pas Euro 2024, ka ndryshuar mendje.

Pasi u rikthye në kombëtaren gjermane, 34-vjeçari ka vendosur të firmosë për një tjetër vit me “Los Blancos”.

“Kroos qëndron” lexohet në faqen e parë të iberikes AS, që shkruan se gjermani ka pranuar propozimin e presidentit Florentino Perez për të vijuar edhe një vit në “Santiago Bernabeu”.

Një lajm që gëzon trajnerin Carlo Ancelotti dhe gjithë tifozët e klubit legjendar spanjoll. Pavarësisht se vitet kalojnë, Kroos vijon të jetë një ndër më mirët në rolin e tij.

Një gjë e tillë u vu re menjëherë te Gjermania, që u rikthye të funksiononte falë klasit të Kroos, duke fituar duelet e forta përballë Francës dhe Holandës. Edhe pse vetëm miqësore.

Kroos është pjesë e Realit të Madridit prej verës së vitit 2014, skuadër me të cilën ka fituar gjithçka. Mbi të gjitha 5 Champions League.

Top Channel