Nën akuzë për sulm seksual ndaj lojtares, prokuroria kërkon dënimin me burg të ish-presidentit të federatës spanjolle të futbollit

28/03/2024 07:59

Prokurorët spanjollë po kërkojnë një dënim prej dy vitesh e gjysmë burg për ish-shefin e Federatës spanjolle të futbolit, Luis Rubiales, i cili po përballet me gjyqin për puthjen në buzë të mesfushores spanjolle Jenni Hermoso kundër dëshirës së saj.

Gjithashtu prokurorët kërkuan që Rubiales i cili akuzohet për sulm seksual, t’i paguajë futbollistes të paktën 50 mijë euro si kompensim.

Gjatë incidentit, i cili ndodhi më 20 gusht pasi Spanja mundi Anglinë për të fituar finalen e Kupës së Botës për femra në Australi, Rubiales duke e kapur me të dyja duart në kokë, puthi me forcë në buzë lojtaren spanjolle.

Veprimi solli reagim të gjerë duke shkaktuar edhe pezullimin e tij nga organi qeverisës i futbollit botëror FIFA.

Asokohe, Rubiales e cilësoi puthjen si diçka të pëlqyer edhe nga lojtarja, por 33 vjeçarja tha se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë.

Sipas ligjit spanjoll, një puthje jokonsensuale mund të klasifikohet si sulm seksual, një kategori kriminale që grupon të gjitha llojet e dhunës seksuale.

Top Channel