Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj doli pas disa orësh nga SPAK, ku shqyrtoi 700 fashikujt e dosjes hetimore ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas tij, sot ka mundur të shohë 15 fashikuj.

“Kemi bërë njohjen me dosjen, ju e dini që është 700 fashikujt, sot arritëm të shohim 15 fashikuj. Ligji lejon vetëm 10 ditë për këtë proces. Kemi bërë kërkesa për veprime shtesë hetimore dhe që unë të jap deklarimet e mia dhe të pyetem sërish për atë dosje.

Në këtë fazë kam pajtuar një avokat dhe deri në fund të gjyqit i përballon zyra e avokatisë dhe në fund bën faturat për mua, tarifat janë publike në këtë rast janë jo të vogla, secili prej nesh se jemi 9 veta në proces, për të marrë një USB, secili prej nesh duhet të paguajë 10 milionë lekë”.

Beqaj qëndroi prej gati shtatë orësh në ambientet e SPAK, ku prokurorët i vunë në dispozicion dosjen, në një dhomë të posaçme, pasi ai pasi refuzoi të paguajë tarifën e akteve.

Ky veprim i tij vjen 24 orë para përfundimit të afatit për të bërë prapësimet mbi përfundimin e hetimeve për dosjen e sterilizimit para se ajo të kalojë për gjykim. Leximi i një pjese të dosjes u bë në ambientet e prokurorisë për 7 orë me radhë pasi Beqaj dhe mbrojtësit e tij ligjorë refuzuan të paguajnë tarifën për të printuar dosjen voluminoze që do u mundësonte tërheqjen e saj fizikisht nga kjo prokuror.

Ish-ministri i shëndetësisë është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA