Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ajo sqaroi gazetarët se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e këtij organizmi me të drejta të plota. “Në qoftë se e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, aty është e qartë se kur flitet për Asociacionin, ai përmendet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra bëhet fjalë në këtë fazë për themelim të Asociacionit”, u shpreh ajo.
“Kosova ka bërë gjithë çfarë është pritur prej saj dhe i ka hedhur të gjithë hapat e nevojshëm”, u shpreh Osmani.
Komentet e kryetares se shtetit të Kosovës erdhën pasi i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.
Anëtarësimi i Kosovës në KiE u riaktivizua javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, u konsiderua i përmbushur njëri prej kushteve kryesore për anëtarësim.
Top Channel