Mike Krack: Alonso nuk kishte asnjë qëllim ndaj Russell, e pranojmë vendimin

27/03/2024 22:34

Aston Martin nuk do të apelojë penalizimin ndaj Fernando Alonso në Çmimin e Madh të Australisë fundjavën e kaluar, një vendim që ndikoi edhe në klasifikimin e spanjollit në këtë garë.

Dy herë kampioni i botës u ndëshkua me një penallti prej 20 sekondash, që e zbriti atë nga vendi i gjashtë në të tetin.

Alonso frenoi në mënyrë të pazakontë në kthesën numër gjashtë në xhiron e parafundit dhe shoferi i Mercedes, George Russell, i cili po e ndiqte nga afër, u përplas.

Shefi i Aston Martin, Mike Krack tha se ekipi duhej të “pranonte vendimin”.

“Fillimisht dua të sqaroj se ne e mbështesim plotësisht Fernandon. Penaliteti i tij me 20 sekonda nuk ishte diçka e lehtë për ne për t’u pranuar, por ne nuk kemi asgjë për të bërë tani. Pra, ne e pranuam vendimin dhe nuk do ta apelojmë. Alonso nuk kishte asnjë qëllim, ne e njohim, edhe ju gjithashtu. Ai kurrë nuk do të bënte diçka për të vendosur në rrezik dikë” – përfundoi Krack.

Pas tre garave të para, Fernando Alonso pozicionohet në vendin e tetë me 16 pikë, teksa skuderia Aston Martin ka koleksionuar deri më tani 25 pikë./ Super Sport

Top Channel