Kosova kalon me sukses votimin! Komiteti Politik miraton propozimin për hyrjen në Këshillin e Europës

27/03/2024 16:53

Kosova ka kaluar hapin e parë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Këtë të mërkurë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovë, Dora Bakojanis e ku rekomandohet se janë përmbushur kushtet që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Komiteti për Politikë ka mirëpritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, por shton se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën në mënyrë që ndihmojë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe që shpronësimet duhet të kryhen “në respektimin më të rreptë të ligjit” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit. Në këtë mbledhje Komiteti ka diskutuar edhe për situatën e sigurisë që konsideron se rreziku i përhapjes së dhunës është real dhe se Kosova duhet të punojë në “mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb, de -përshkallëzimin e tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Komisioni ka rekomanduar që të hapet një procedurë monitorimi për Kosovën në mënyrë që të sigurohet zbatimi i zotimeve dhe obligimeve pas anëtarësimit. Zëvendësministri për punë të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka bërë të ditur se mes tjerash se opinioni i miratuar kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës dhe se rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet e jo si vend.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka cilësuar të suksesshëm këtë hap. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në instrumentet e KiE-s nëpërmjet anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka thënë ajo. Pas këtij hapi, në mesin e muajit prill çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme më 18 prill, ku pritet edhe votimi për opinionin përfundimtar para se vendimin përfundimtar për anëtarësimin do e marrë Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës.

Me anëtarësim Kosovës i mundësohet aksesi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të bëjë përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Top Channel