“Kam refuzuar oferta shumë të mira ekonomike”, Mourinho flet për të ardhmen e tij: Ja kur rikthehem në stol

27/03/2024 09:30

Jose Mourinho i cili që prej se u largua nga Roma, ende nuk është angazhuar si trajner në një klub tjetër, është gati të rikthehet në “aksion” kurdo të jetë e mundur.

Ofertat ndaj tij nuk kanë munguar, teksa shpesh është folur për një kalim të tij në Arabinë Saudite, në ndjekje të Ronaldos dhe një pjese të mirë të futbollistëve që kanë zgjedhur Azinë.

Duke folur për këtë temë në një intervistë për gazetarin Fabrizio Romano, Mourinho tha se kishte pasur oferta pasi Ronaldo u transferua në Arabinë Saudite por sado të mira ekonomikisht kishin qenë, i kishte refuzuar për shkak se e konsideronte Romën dhe futbollin evropian më të rëndësishëm.

“Cristiano Ronaldo hapi dyert e asaj porte, në terma futbollistik. Kur më erdhi oferta, e cila ishte shumë e rëndësishme në terma ekonomik, e refuzova, pasi ishte më i rëndësishëm futbolli evropian dhe Roma. Në të ardhmen, kurrë mos thuaj kurrë, por në këto momente nuk do të firmos për askënd, është koha për të marrë vendimin më të mirë”, u shpreh Mourinho duke shtuar:

“Dua të rifilloj. Shpesh, kur mbyll një aventurë të duhet kohë për të menduar, por këtë herë ishte ndryshe. Një ditë pasi u largova nga Roma isha gati të rikthehesha. Ndihem shumë mirë, jam gati, por duhet të jem i duruar pasi jemi në mars, është e vështirë që tani të ndodhë diçka e rëndësishme, pra objektivi im është ta rifilloj në verë”, u shpreh Mourinho në intervistën e tij për Fabrizio Romano.

Top Channel