De Gea pa skuadër prej verës, projektohet rikthimi në Madrid

27/03/2024 12:47

David De Gea qëndron pa skuadër prej verës së vitit të kaluar, kur i dha fund aventurës 12-vjeçare me Manchester United.

Portieri spanjoll nuk arriti të gjente skuadër të re as në merkaton e janarit, por nuk është demoralizuar dhe po punon për të qenë në gjendje të mirë.

Shtypi iberik shkruan se 33-vjeçari mund të firmosë me Realin e Madridit në fundin e sezonit.

Kepa Arrizabalaga do të rikthehet te Chelsea dhe “Los Blancos” pritet të firmosin me De Gean, autor i 45 ndeshjeve me kombëtaren e Spanjës.

Gjatë merkatos dimërore u fol edhe për një rikthim në “Old Trafford”, por Andre Onana e ka marrë veten. Dhe pista De Gea ra si opsion.

Tashmë pritet rikthimi në kryeqytetin spanjoll, aty ku mbrojti portën e Atletico Madrid përpara transferimit në Premier League. /Supersport

Top Channel