Në prag të miqësores mes Spanjës dhe Brazilit, Vinicius ka dalë në konferencën për shtyp, ku edhe është përlotur teksa është pyetur në lidhje me çështjen e racizmit.
Braziliani i Realit të Madridit është bërë shpesh pre e koreve raciste në stadiumet spanjolle, teksa mes lotësh ka thënë se ajo që “e vret” më shumë në këtë histori, është mungesa e ndëshkimit nga ana e autoriteteve sportive.
“Është diçka trishtuese, që ndodh çdo ditë, në çdo ndeshje dhe në çdo stadium. Është diçka që po ndodh jo vetëm në Spanjë, por edhe në vende të tjera dhe unë jam i vendosur për të luftuar ndaj këtij fenomeni deri në fund. Ajo që më shqetëson më shumë është mungesa e sanksioneve, qoftë nga autoritetet sportive, qoftë nga ato shtetërore”, u shpreh Vinicius.
Sulmuesi brazilian është ndalur të flasë edhe për progresin e tij në aspektin sportive, teksa ka evidentuar rritjen që ka pasur gjatë viteve të fundit te Reali i Madridit.
“Unë jam vetëm 23 vjeç dhe punoj shumë për t’u përmirësuar. Sigurisht që ka ende shumë vend për t’u rritur e përmirësuar, por po punoj bashkë me skuadrën. Te Reali kam mësuar shumë dhe e di që kam ende për të mësuar. Megjithatë në kushtet e racizmit të theksuar, të ikën dëshira për të luajtur”, theksoi Vinicius. /Supersport
Top Channel