Shqipëria U21 “bie” në Air Albania, skuadra e Bushit nuk i reziston Zvicrës

26/03/2024 19:50

Shqipëria U21 nuk mundi të rezistonte në Air Albania përballë moshatarëve të Zvicrës.

Në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të kualifikueseve për Euro 2025, kuqezinjtë u dorëzuan me shifrat 1-3. Ndeshja nisi me vrull për të besuarit e trajnerit Alban Bushit, megjithatë ata që shënuan ishin miqtë me anë të një goditje dënimi në minutën e 28 nga Surdez.

Simon Simoni provoi t’i ndryshonte udhë topit, por nuk mundi pavarësisht përpjekjeve maksimale. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë, kuqezinjtë reaguan dhe kërkuan me ngulm golin.

Për t’u theksuar një episod i minutës së 54, kur Pajaziti fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësin kundërshtar duke shkuar i pari te topi. Por, arbitri çuditërisht nuk e vlerësoi si një faull dhe vijoi normalisht lojën. Pesë minuta më vonë, Zvicra U21 shënoi edhe golin e dytë.

Në zhvillimet e një goditje këndi, Sanchez u gjend i lirë në zonë dhe ndëshkoi sërish Simonin. Zvicra U21 thelloi edhe më shumë diferencat teksa në të 76-tën helvetët shënuan edhe golin e tretë me Keller. Në fund, Shqipëria shënoi me Shpendin, por që ky gol shërbeu sa për statistikë. Pas kësaj disfate, kuqezinjtë bien në vendin e katërt me 10 pikë ndërsa Zvicra ngjitet në krye me 14 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA