Po i nënshtrohet terapisë ndaj kancerit, mbreti Charles njofton nëse do të marrë pjesë në kremtimin e Pashkëve të dielën

26/03/2024 18:19

Mbreti Charles i Britanisë do të marrë pjesë në shërbimin e së dielës së Pashkëve në katedralen e St. George në Windsor, ku do të jetë dalja e tij e parë publike në një ngjarje tradicionale mbretërore që nga zbulimi i diagnozës së tij me kancer në muajin shkurt.

Pallati Buckingham tha të martën se mbreti Charles dhe gruaja e tij, Mbretëresha Camilla do të marrin pjesë në kishë më 31 mars.

Njoftimi vjen disa ditë pasi Kate, Princesha e Uellsit dhe nusja e mbretit, thanë se ajo gjithashtu kishte zbuluar një diagnozë të kancerit dhe po i nënshtrohej kimioterapisë parandaluese.

Shërbimi i Pashkëve këtë vit do të jetë më i shkurtër për shkak të shëndetit të mbretit, lajmëron Buckingham Palace.

Kate dhe trashëgimtari i fronit Princi William nuk do të marrin pjesë, ka njoftuar tashmë zyra e tyre.

Që nga diagnoza e tij, Charles ka rralluar daljet në publik teksa merr trajtimin. Ai humbi festimet e Ditës së Komonuelthit në fillim të marsit, një mungesë në atë që është një rast i rëndësishëm në kalendarin vjetor të monarkisë britanike.

Por ai duket se po rrit gradualisht angazhimet e tij publike. Charles takoi udhëheqësit e besimit në Buckingham Palace më herët të martën, të cilët ishin pjesë e një programi që synonte nxitjen e harmonisë dhe shkëmbimin e përvojave të udhëheqjes në një kohë tensionesh gjeopolitike të rritura.

Top Channel