Nënkampioni i Europës/ Veliaj pret peshëngritësin Kristi Ramadani që solli dy medalje në Shqipëri

26/03/2024 16:01

Një medalje e re iu rezervua nënkampionit të Europës, Kristi Ramadani nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sportisti që i dhuroi Shqipërisë dy medalje argjendi në Europianin e Peshëngritjes,  mori vlerësimet e kryebashkiakut Veliaj, pas fitores së shënuar në Bullgari.

“Na ke nderuar sepse nuk ngrite vetëm peshat fizike të peshëngritjes, por ngrite edhe zemrat tona peshë dhe flamurin tonë lart. Për këtë të jemi vërtet Mirënjohës! E kuptoj që ti e ke pasion dhe nuk e bën këtë me detyrim”, tha Veliaj.

“Kam që fëmijë që e ndjek këtë ëndërr, por ta bësh realitet ëndrrën tënde, është ndjesia më e bukur që kam ndjerë deri tani. Ju falënderoj për këtë pritje që më bëtë, sepse më rikthyet edhe njëherë emocionin e mirë që përjetova. Ndihem mirë që jam pjesë e Klubit Tirana”, deklaroi Ramadani.

Veliaj garantoi se mbështetja për sportistët nuk do të mungojë si nga pushteti vendor dhe ai qendror.

“Kemi pasur financimin më të madh në sport të bërë ndonjëherë në qytetin tonë dhe nuk do te mungoje për ato sporte ku ne kemi treguar që kemi më shumë shanse, siç janë sportet individuale: peshëngritje, mundje, apo siç është futbolli. Kemi investuar te Parku Olimpik dhe te Stadiumi pikërisht në ato sporte ku ne kemi vërtet talente që ia vlen të investojmë”, tha Veliaj.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza vlerësoi ndihmën qe Bashkia e Tiranes jep për sportistët e rinj.

Top Channel