Ky është momenti kur lideri i socialistëve grekë të Pasokut dorëzon në parlament mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Mitsotakis të nënshkruar edhe nga tre parti të tjera opozitare, Syriza, e Majta e Re dhe Lundrimi i Lirisë.
“Qeveria e Demokracisë së Re e ka bërë zakon minimin sistematik të shtetit të së drejtës në vendin tonë. Tek një sërë skandalesh, përjetojmë të njëtin motiv, korrupsion, mbulim dhe mosndëshkim. Në çdo skandal, në çdo dështim qeveritar zgjedhja juaj politike është të mbuloni të vërtetën“-u shpreh Nikos Androulakis, kreu i Pasok-ut.
Sipas liderit socialist “Ky diskreditim i paprecedentë i shtetit ligjor dhe institucioneve nga qeveria nuk mund të vazhdojë. Ky zhvillim politik me mocionin e votëbesimit ka ardhur menjëherë pas botimit të një artikulli të gazetës «To Vima» ku zbulohet se tabulatet e bisedave telefonike të përgjegjësit të stacionit të Larisës dhe makinistit të një prej trenave që janë përplasur në aksidentin fatal të Tembit me 57 viktima, janë fshirë pjesërisht dhe janë publikuar jo të plotë.
Nga ana e saj edhe partia më e madhe opozitare Syriza ,nëpërmjet liderit të saj Stefanos Kasselakis , i ka bërë thirrje kryeministrit Mitsotakis të japë dorëheqjen në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme me praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Deklaratës i është përgjigjur zëdhënësi i qeverisë duke thënë se kreu i opozitës, minοn shtetin dhe demokracinë greke që ka 50 vjet që kryen zgjedhje të lira.
“Kasselakis me vetëdije po minon shtetin me këtë deklaratë të papranueshme të rrezikshme dhe të paprecendent. Këtë vit, mbushen 50 vjet nga rivendosja e Republikës … vite krize, memorandumesh, tensionesh, me qytetarë të shumtë në rrugë dhe një ankth shumë i madh për të ardhmen e vendit, dhe askush nuk erdhi ta vërë në dyshim këtë rrugë ligjore, pandryshueshmërinë e rezultatit zgjedhor.”
Sipas zëdhënësit të qeverisë drejtësia po heton të gjitha aspektet e tragjedisë, ndërsa ka cilësuar deklaratat e opozitës si një “fushatë antiqeveritare ” dhe një përpjekje për të destabilizuar vendin.Nga ana tjetër , mocioni i mosbesimit që do diskutohet në tre ditët në vazhdim duke u përkrahur edhe nga partitë e tjera opozitare, konsiderohet se do të kthehet në një votebesim për qeverinë pasi zotëron 158 nga 300 vendet e parlamentit dhe do të krijojë më shumë unitet në radhët e të djathtëve të cilët kritikohen nga opozita për tragjedinë hekurudhore, për shtrenjtësinë apo dhe për rrjedhjen e të dhënave personale të grekëve të diasporës, disa javë para zgjedhjeve për PE.
Top Channel