Humbjet e Kombëtares Shqiptare, Kabo: Duhet të luajnë futboll më modern! Në ndeshjen me Kilin, shumë ngelësa, Asllani tepër i ngadaltë

26/03/2024 14:11
Përparim Kabo në "Procesi Sportiv"

Pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të Shqipërisë në ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë, janë shtuar polemikat mbi formën e lojtarëve dhe mënyrën sesi po luajnë kuqezinjtë.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” me moderatorët Edi Manushi dhe Alesia Bami në Top Channel, profesori Përparim Kabo si një ndjekës i rregullt i ndeshjeve të kombëtares pati kritika për disa lojtarë.

“Nëse për lojtarët ka ndeshje shumë të vështira në grup, këto janë po kaq të vështira për trajnerin. Edhe trajneri pas ndeshjes me Kilin mu duk shumë i hutuar ndërsa pas ndeshjes me Suedinë bëri një deklaratë tjetër ku përkthyesi nuk e përktheu se nuk e kishte mendjen ndoshta. Tha ekipi nuk është ende gati por jemi në rrugën e duhur. Përmendi 4-5 emra të lojtarëve që kanë dhënë goxha në eleminatore, tha ata 15 ndeshje kanë në ekipin kombëtar”– tha Kabo.

Duke veçuar vetëm Gjimshitin, Kabo tha se performanca e lojtarëve të tjerë ishte shumë e dobët në të dy ndeshjet miqësore. Sa për Asllanin, ai u shpreh se duhet të jetë më i shpejtë dhe t’i përshtatet dinamikës së lojës me pasime të sakta dhe të shpejta.

“Asllani luan shumë ngadalë. A nuk e shikon Barrelën ai apo Calhanoglunë? Sesi i vertikalizojnë topat.. Mua nuk më duhet saktësia e pasimeve në mënyrë statike por saktësia me pasime dinamike. Kthimi i topit mbrapa nuk është futboll modern. Nëse sulmuesit e krahut nuk driblojnë dot mbrojtësit nuk ka sesi e bën golin sulmuesi qëndror”- shtoi profesori.

Top Channel