Gjykatat britanike duhet të kishin refuzuar çështjen e Assange, thotë bashkëshortja e kreut të Wikileaks

26/03/2024 19:05

Stella Assange tha sot se gjykatat britanike duhet të kishin refuzuar padinë e ngritur kundër themeluesit të rrjetit WikiLeaks sepse diçka e tillë ‘kriminalizon gazetarinë.’

Zhvillimi vjen teksa dy gjyqtarë kanë shtyrë marrjen e vendimit për apel kundër ekstradimit të 52-vjecarit në SHBA.

Shtyrja e vendimit supozohet se i jep Uashingtonit tre javë kohë për të dhënë siguri se Assange, qytetar australian, do të gjykohet me drejtësi dhe as nuk do të dënohet me vdekje nëse shpallet fajtor, për akuzat e shpërndarjes së materialeve të klasifikuara apo ndërhyrje kompjuterike, të cilat zbuluan abuzimet e rënda të ushtrisë së SHBA.

Bashkëshortja e tij Stella tha sot mes të tjerash se SHBA po ndjek penalisht një gazetar për opinionin e tij politik.

“Ai ka ekspozuar vetëm opinionin e tij politik me anë të publikimeve, prandaj gjykatat britanike duhet të kishin refuzuar çështjen e ekstradimit, për arsyen e thjeshtë sepse kjo është një kriminalizim i gazetarisë”.

“Ne e dimë se në momentet ku jetojmë, me konfliktet në Ukrainë e Lindjen e Mesme, shtypi duhet të jetë i lirë të publikojë të vërtetën për atë që ndodh në luftë apo konflikt. Ata që janë përfshirë në nxitjen e luftës nuk duhet të kenë pushtetin për të bërë të heshtin gazetarët që ekspozojnë krimet e luftës”, tha më tej Stella Assange.

“Për mua është absurde që Julian nuk i lejohet të argumentojë se ekstradimi tij shkel traktatin e ekstradimeve Britani-SHBA, që e ndalon këtë për arsye politike”, shtoi ajo, sipas rrjetit AFP.

FOTO GALERI
1/3
"Ne e dimë se në momentet ku jetojmë, me konfliktet në Ukrainë e Lindjen e Mesme, shtypi duhet të jetë i lirë të publikojë të vërtetën për atë që ndodh në luftë apo konflikt. Ata që janë përfshirë në nxitjen e luftës nuk duhet të kenë pushtetin për të bërë të heshtin gazetarët që ekspozojnë krimet e luftës”, tha më tej Stella Assange.

Top Channel