GJKKO lë në burg kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro! Ndryshon masa për ish-drejtorin, ka një fëmijë 5 muajsh

26/03/2024 15:06

Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.

Jorgo Goro ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj. Ai ka pretenduar se veprimet e tij kanë qenë konform ligjit dhe se SPAK ka ngritur akuzë vetëm mbi shkresa përcjellëse në përputhje me funksionin.

GJKKO vendosi të ndryshojë masën vetëm për Bilbil Aliajn, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë, ku nga “arrest në shtëpi”, u vendos të lihet në masën “detyrim paraqitje”.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, ai përfitoi zbutje të masës pasi kishte një fëmijë 5 muajsh.

“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodhe zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar. Kërkoj masë më të butë sigurie si detyrim paraqitje”, tha ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Bilbil Aliaj para Gjykatës së Posaçme.

Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë akuzohet nga SPAK si i dyshuar dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se Goro ra në prangat e policisë me urdhër të SPAK më 23 mars, pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona.

Të akuzuar për çështjen janë edhe katër persona të tjerë, dy prej të cilëve janë lënë në “arrest shtëpie”.

Në arrest shtëpie janë lënë Vezir Gjikoka ish-jurist, Jerasimo Bashi ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë.

Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Vezir Gjikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Ndërsa për pronarin e tokës, Stavri Mëhilli i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë u vendos masa arrest në burg në mungesë.

Top Channel