Gjashtë të vrarë nga sulmi ‘kamikaz’ ndaj inxhinierëve kinezë në Pakistan (fotot)

26/03/2024 18:08

Pesë shtetas kinezë dhe shoferi i tyre pakistanez janë vrarë sot në një sulm teksa udhëtonin nga Islamabad drejt kantierit të ndërtimit të një dige.

Një sulmues vetë-vrasës përplasi karvanin e mjeteve me inxhinierët kinezë pranë një projekti dige në veri-perëndim të Pakistanit, që bëhet sulmi i tretë brenda një javë kundër interesave kineze në vend.

Dy sulmet e tjera shënjestruan një bazë detare e ajrore të Pakistanit, që po përdoren nga Kina, në provincën jugperëndimore të Balochistan. Pekini po investon aty miliarda dollarë në projekte infrastrukture.

Inxhinierët kinezë po udhëtonin drejt impjantit të digës Dasu në provincën Khyber Pakhtunkhwa, tha kreu rajonal i policisë Mohammad Ali Gandapur.

Dasu është një digë gjigante dhe është sulmuar edhe në të kaluarën.

Ne 2021 një shpërthim në një autobus vrau 13 njerëz, mes të cilëve ishin nëntë shtetas kinezë.

Inxhinierë kinezë po punojnë në shumë projekte në Pakistan teksa Pekini thotë se ka investuar $65 miliardë si pjesë e “korridorit ekonomik Kine-Pakistan”, në kuadër të iniciativës së saj “Brez e Rrugë”.

Ende asnjë nuk ka marrë përgjigje për sulmin e sotëm, ashtu si dhe atë të vitit 2021.

Interesat kineze janë goditur më parë nga militantë etnikë nacionalistë që kërkojnë të largojnë Kinën nga rajoni pasur me minerale Balochistan, pasi në përgjithësi kinezet operojnë në jug e jugperëndim të vendit, larg nga vendndodhja e sotme.

Një tjetër burim tha për agjencinë Reuters se karvani goditur transportonte punonjës të kompanisë kineze China drejt projektit të hidrocentralit në Dasu.

Kjo është dhe kompania e goditur në atentatin e 2021, çka bëri që punimet të ndalonin për tre muaj asokohe, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Një burim i ushtrisë së Pakistanit tha se tre sulmet e një jave kanë si qëllim të destabilizojnë situatën e brendshme të sigurisë, për të cilat akuzonin “elementë të huaj”.

Porti strategjik i Pakistanit në oqeanin Indian, Gwadar, kontrollohet nga Kina, ashtu si dhe baza ajrore pranë tij Siddique, të cilat kanë qenë objektivi kryesor i sulmeve.

Ministria e jashtme e Pakistanit tha se jeta e siguria e shtetasve kinezë në Pakistan ishte e rëndësisë thelbësore. “Pakistani do të vazhdojë të punojë me vëllezërit kinezë për mbrojtjen e sigurinë e qytetarëve kinezë dhe të projekteve e institucioneve në Pakistan,” thuhej në deklaratën e ministrisë.

FOTO GALERI
1/3
Një sulmues vetë-vrasës përplasi karvanin e mjeteve me inxhinierët kinezë pranë një projekti dige në veri-perëndim të Pakistanit, që bëhet sulmi i tretë brenda një javë kundër interesave kineze në vend.

Top Channel